Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Samitin e III-të të Diasporës në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij drejtuar pjesëmarrësve, Presidenti Begaj nderoi sakrificat e bashkatdhetarëve të larguar nga vendi, kontributin e tyre për Shqipërinë nëpërmjet investimeve në vend dhe përhapjes së imazhit të mirë të vendit në botë.
Begaj: Diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin.
Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë.
Kreu i Shtetit paraqiti nisma konkrete në samit për të garantuar mundësi vendimmarrëse dhe përfaqësim në politikë.
Begaj: Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.
Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do i jep zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”
Presidenti Begaj apeloi për ruajtjen e identitetit përmes gjuhës amtare. Një falenderim të veçantë Presidentii u përcolli në këtë samit, mësuesve dhe edukatorëve për përkushtimin dhe angazhimin për përçimin e gjuhës shqipe në ruajtje të identitetit tonë kombëtar.
Ai u beri thirrje prindërve shqiptarë që ta konsiderojnë themelore mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e tyre, pasi vlerësoi se “mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë. Shiheni si investim për të ardhmen këtë gjuhë të rrallë e të pasur në zemër të Evropës”.