Samiti BE-PB dhe protesta e Berishës, çfarë pritet të ndodhë sot dhe cilat janë rrugët që do të bllokohen

Sot, 6 dhjetor 2022, është një ditë e rëndësishme përsa u përket zhvillimeve politike në vend. Në Tiranë, do të zhvillohet samiti i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që mbahet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE. Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta. Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“.

Në kuadër të këtij samiti, prej ditës së djeshme, 5 dhjetor, ora 14:00, të gjitha rrugët rreth Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe stadiumit ‘Air Albania’ janë bllokuar, si masë sigurie e marrë për mbarëvajtjen e samitit.

Në këto akse rrugore, brenda perimetrit të sigurisë do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e banorëve të zonës.

6 dhjetori nuk do të jetë pushim për administratën apo për shkollat/universitetet. Mësimi do të vijojë normalisht si te Shkolla ‘Kosova’, Liceu Artistik, si dhe universitete që janë brenda këtij perimetri.

Gjithashtu, do të ketë edhe ndalim të qarkullimit të automjeteve nga Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. Si edhe për të gjithë personalitete që do të vijnë në rrugë tokësore, është marrë masa që të shmanget trafiku i rënduar. Për pasojë do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Nga ana tjetër, po sot, në orën 12:00, kreu i PD-së Sali Berisha ka organizuar një protestë kundër qeverisë që do të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke thënë se ky do të ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale. Por, Berishës nuk i është dhënë leje nga Policia për të zhvilluar këtë protestë, megjithatë, lideri i demokratëve ka thënë se do të mbahet. Protesta pritet të jetë paqësore, ndërsa Berisha ka thekuar vazhdimisht në daljet e tij në media se, sot do t’u tregojë liderëve të BE-së se Rama është kryehajtuti më i madh i historisë së kombit.

Njoftimi i policisë për planin e masave

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme përbëjnë perimetrin e sigurisë së Samitit dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidëntë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve./albeu.com