Emisioni “Opinion” është ndalur këtë të hënë për të diskutuar në lidhje me daljen në treg të 2.6 tonë mish pule me salmonelë në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Manush Kullolli, ishte i ftuar në studio, ku tregoi kronologjinë e kësaj ngjarjeje.
Sipas Kullollit, më datë 11 Mars është bërë marrja e mostrës. Ai sqaroi se sipas ligjit sasisë që i është marrë mostra nga inspektorët bllokohet dhe qëndron në pikën e inspektimit kufitar dhe në rast se merret me kontroll rutinë sasia duhet të mbahet e bllokuar nga subjekti tregtar.
“Ligji ngarkon me përgjegjësi edhe operatorin e biznesit ushqimor”, tha Kullolli.
Kullolli tha se me daljen e raport-analizës nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, AKU ka marrë masën për të shkuar pranë subjektit për të kryer kontrollin e këtij subjekti.
“Nga ana e subjektit nuk është vënë në dispozicion asnjë dokument gjurmueshmërie që është shumë i rëndësishëm dhe operatori i biznesit ushqimor e ka detyrim, në bazë të VKM-së për gjurmimin deri në 3 vjet që të mbajë gjurmimin për çdo produkt. Gjurmimi do të thotë identifikim i produktit në çdo vend të territorit ku shkon”, tha Kullolli.
Kullolli tha se ditën e parë të trupës së inspektimit nuk është paraqitur asnjë dokumentacion nga ana e subjektit.
“Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme është ngritur një grup pune me hetimin tatimor, duke ditur që Tatimet kanë akses në kontrollet dhe verifikimin e faturave”, tha Kullolli.
Sipas drejtorit të AKU-së, nga ana e subjektit është paraqitur një listë gjurmueshmërie me 154 operatorë biznesi ku subjekti deklaron që është shpërndarë ky produkt. Me marrjen e këtij informacioni nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme janë ngritur dy grupe pune.
“Grupi i parë i punës është bërë për identifikimin e këtyre operatorë biznesi ku janë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kanë dalë trupat inspektuese në çdo subjekt. Trupa e dytë e grupit të punës ka bërë njoftimin e gjithë këtyre subjekteve për të fituar në kohë. Të njoftohen subjektet, të venë afishimin për kthim nga konsumatori dhe heqjen nga rafti të këtij produkti”, tha Kullolli.
Por siç tregon drejtori i AKU-së, duke parë gjurmueshmërinë e paraqitur nga subjekti, ditën e dytë kanë parë që ajo ka qenë “e mangët, e çalë dhe jo e rregullt”. Që nga ky moment rasti është referuar në prokurori është në hetim.