Mijëra kilogramë mish, qofte e kërnacka janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pasi kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë.
Rastet janë bërë me dije për ‘Inside Story’ në Top Channel ku thuhet se vetëm 5 muajt e parë të këtij viti, nga tregu janë tërhequr 3 praktika ngarkesash të kontaminuara me salmonelë.
Fillimisht u identifikuan rreth 4.500 kg fileto e ngrirë derri, e cila fatmirësisht ishte në gjendje në subjekt, pra nuk ishte tregtuar. Subjekti u gjobit në vlerën 300 mijë lekë dhe u urdhërua asgjësimi i të gjithë sasisë problematike.
Në një tjetër rast u bllokuan 1.650 kg “qofte zgare”, si dhe 3.2 kg “mish i grirë”, për të cilat u urdhërua asgjësimi. Subjekti u gjobit me 100 mijë lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë.
“Kemi bërë përmirësime, por kemi shumë probleme në mbajtjen e dokumentacionit dhe kryerjen e inspektimeve dhe kontrolleve, që ky informacion të mbartet siç kërkohet nga ligji në të gjitha hallkat. Kjo tregon se në këtë zinxhir të prodhimit dhe magazinimit mund të ketë edhe hallka që bëhen burim kontaminimi”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.
Në një tjetër rast, bëhet me dije se është bllokuar e gjithë linja e prodhimit, konkretisht 39 kilogramë mish dhe 92 kilogramë kërnacka, të cilat u asgjësuan. Subjeki ku tregtoheshin u gjobit me 100 mijë lekë gjobë, ndërsa u urdhërua marrja e masave për pastrimin dhe dezinfektimin e të gjithë linjës së prodhimit.
Një tjetër rast që bëhet publik është dhe bllokimi dhe asgjësimi i 200 kilogramë kërnacka dhe 50 kilogramë hamburgerëve.