Salianji thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës para kryeministrisë: Korrupsioni ka përmbytur qeverinë! Koha për reagim!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi me qytetarët në zonën e Kombinatit, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme të opozitës.

Në një postim të shpërndarë pas takimit, Salianji akuzoi qeverinë për braktisje të qytetarëve dhe theksoi se “korrupsioni ka përmbytur qeverinë” dhe se “koha është për reagim”.

“Në Kombinat, qeveria ka rënë ne duhet ta dëshmojmë! PROTESTO NESËR, E HËNË, Ora 18:00! Korrupsioni ka përmbytur qeverinë, ndërsa qeveria ka braktisur qytetarët. Në vend të zgjidhjeve, menaxhon vetëm skandale, aferat dhe propagandën.

Edi Rama është në krye të një strukture të kalbëzuar që ka shkatërruar Shqipërinë për interesa personale, duke e lënë vendin pa shpresë, pa siguri dhe pa drejtësi. Nuk ka më kohë për të pritur. Nuk ka më justifikime. Koha është për reagim! Koha që Rama të largohet! Bashkohu nesër në Bulevard, ora 18:00!”, ka shkruar Salianji.

Kujtojmë se nesër opozita organizon protestën e dytë para Kryeministrisë, të cilësuar si “Platforma Parlamentare”, e cila synon largimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pas skandalit me tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.


Shtuar 23.11.2025 21:50