Pas suksesit të sezonit të parë, “Flet” me Ilnisa Agollin u rikthye mbrëmë në ekranin e Top Channel. “Flet” është një podkast pa filtra, i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë. Me rrëfime të sinqerta nga të ftuarit, pa doreza dhe me deklarata të fuqishme dhe të pathëna më parë. I ftuari i parë i këtij sezoni të dytë ishte ish-kryeministri, Sali Berisha, i cili bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë.
Pjesë nga intervista:
Çfarë të shtyu drejt mjekësisë?
Nuk kam pasur ndonjë ëndërr mjekësore në adoleshencën time. Ëndrra ime ishte, pasi vendosa që të mos shkruaja, sepse që në fëmijëri të hershme fillova të shkruaja poezi dhe e mbylla karrierën time letrare pasi shkrova një tregim, i frymëzuar nga Prosper Mérimée me tregimin Mateo Falcone. E shkrova atë tregim dhe mendova se me të do të kem një sukses. Mirëpo, pasi mbusha një fletore me të, e lexova dhe nuk më pëlqeu. Më kujtohet që Fishta i thoshte Mjedës: I ke prej mendjes, jo prej zemrës. Mirëpo kjo u ngulit në mendjen time dhe më brente, që poezia duhet të ishte prej zemrës. Dhe i zemëruar me veten time, u betova që nuk do shkruaja më dhe nuk shkruajta. Por çfarë do bëhesha tani?
Do bëhesha kritik letrar, do bëhesha një kritik i shquar letrar. Lexoja me pasion të madh, leximi ishte bota ime. Dhe kjo ëndrra e kritikut letrar, më mbajti edhe në shkollë të mesme. Megjithëse studioja mjekësi, ëndrrën e kisha të vazhdoja Fakultetin e Filologjisë. Mbarova shkollën e mesme dhe më doli direkt bursa për në Fakultet të Mjekësisë. Bëra përpjekje me ata pak njerëz që njihja që të ndërroja fakultet, ishte e pamundur. Bëja përpjekje që të ndiqja dy fakultete, edhe letërsinë edhe mjekësinë, nuk ishte e mundur, nuk arrita. Meqenëse nuk arrita dot të vazhdoja ëndrrën time letrare, aty nga viti i dytë i fakultetit të mjekësisë, do ishin dy lëndë që më tërhoqën. Dhe mbi bazën e tyre, filloi të lindë ëndrra ime mjekësore që do të bëhesha shkencëtar. Do arrija të bëja eksperimente dhe gjëra shumë të çmuara. Por ëndrra ime letrare u përzu. Pastaj iu riktheva ëndrrës mjekësore në vit të tretë. Por momenti që ti vesh bluzën e bardhe dhe vendos stetoskopin në vesh, është një moment shumë i veçantë. Aty ti tani nuk je më ai që ishe. Ti shkon tek i sëmuri dhe ai të sheh si doktorin e ardhshëm, bisedon në mënyrë serioze me ty, përpiqesh t’i japësh përgjigjet e duhura. Dhe lind një raport shumë i veçantë tashmë midis studentit, mjek i ardhshëm dhe të sëmurit. Ky raport konsolidohet gjatë viteve të studimit dhe pasi mbaron, ti nuk je më që ishe, por je doktori.
Ke menduar ndonjëherë gjatë këtyre viteve politike që t’i rikthehesh kësaj rruge?
Një divorc shumë i dhimbshëm. Sepse kur vendosa të shkruaja kundër regjimit, regjimi e kishte shumë të thjeshtë, intelektualët nuk i kishte për asgjë. Të merrte të burgoste, të syrgjynoste. Unë kisha dy llogari që kisha bërë, familjen me të cilën kisha rënë dakord. E dyta, keqardhja ime e thellë ishte që të sëmurem, kisha investuar 20 vite me pasion të jashtëzakonshëm. Dhe kur shkoja në klinikë, ndieja keqardhje. Kur u themelua Parta Demokratike, në darkë të datës 11, unë më datë 12 kam deklaruar në miting: Do mbetem një mik i saj! Dhe e kam thënë këtë i vendosur se do kthehesha në spital. Ishte një dashuri e pakufishme ajo e profesionit. Pse nuk u ktheva? Gjatë natës mendova vetëm dy gjëra… E para, studentët ishin të rinj, guximi i pakrahasueshëm. Por në anën tjetër ishin dhelpërinjtë, qëndrimi armiqësor. Nëse këta ishin për një rrugë civile, ana tjetër ishte jo e tillë. Në këtë aspekt, t’i lije ata duket sikur i tradhtoje. Dhe unë mund t’i ndihmoja ata, besoj se unë kam luajtur një rol. Ishte një divorc përfundimtar, sepse mjekësinë po e le, të lë.
Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
“Ëndrra ime ishte…”/ Sali Berisha vjen ndryshe: Me
Ajo ka qenë studente në Fakultet të Mjekësisë dhe unë pedagog. Nuk i kam dhënë direkt mësim grupit të saj. Unë jepja mësim në vit të 3. Në vit të 4 jam njohur me të, jemi afruar, jemi dashuruar. Mbaroi studimet dhe u martuam.
Çfarë përfaqëson ajo tek ju doktor?
Tani, se çfarë përfaqëson ajo është e thjeshtë të thuhet gjysma, por shumë më tepër. Sepse, në profesion ishte një mbështetje e madhe për mua, por dhe unë për atë. Edhe unë e kam mbështetur atë. Në kuptimin, e kam ndikuar që të zgjedhë pediatrinë. Po, ja sugjerova! Ajo u apasionua shumë pas pediatrisë. Por, përveç profesionit mund të them që e gjithë aq sa është përcaktues mjedisi familjar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është violina e parë. E ka luajtur atë rol në mënyrën më të fuqishme, më të përsosur. / TAR