Sali Berisha sfidon hapur SHBA: Publikoni prova ose hiqni “non-grata”, unë nuk dorëzohem!

Pavarësisht thirrjeve të DASH, Sali Berisha ftoi sërish zyrtarët amerikanë të publikojnë për shqiptarët të gjitha provat ndaj tij, duke shtuar se nëse kjo ndodh ai ndërpret betejën e tij.

I sigurt për pozitën e tij, ai ka sfiduar sërish SHBA dhe zyrtarët e DASH duke deklaruar se do të vazhdojë betejën e tij duke u sugjeruar të rishikojnë vendimin e tyre për shpalljen “non grata”.

Rikujtojmë se ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit Berisha arriti të mbledhë 4934 delegatë me të cilët votoi në parim statutin e ri, që e çon PD në zgjedhje me 22 mars.

Fjala e Berishës:

I bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo fakt që kanë dhe t’i bëjnë publike të gjitha çfarë kanë, dhe ju siguroj unë juve këtu, që unë marr çdo vendim ndaj vetes time.

Jam mirënjohës miqve në Europë dhe SHBA për qëndrimet ndaj këtij vendimi por i ftoj edhe ata dhe të gjithë ata që kanë një provë të vetëm ta paraqesë atë dhe Sali Berisha merr çdo vendim.

Në të kundërt, duke qëndruar i përulur para të vërtetës do të vazhdoj pathyeshëm misionin tim.

Si besimtar i Zotit dhe digjitetit të njeriut, beteja ime për rivendosjen e dinjitetit tim do të vazhdojë, ftoj zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre, sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë.

Unë ju garantoj juve, se do të vazhdoj i palëkundur misionin tim për të përmbysyr narkoshtetin në Shqipëri, do të vazhdoj misionin me ju për të rikthyer Shqipërinë në pushtet, Partinë Demokratike, si parti e vlerave të Lirisë, si parti që në epiqendër kanë qytetarin dhe interesat e tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha duket i palëkundur në betejën e tij jo vetëm për të marrë sërish PD, por edhe për t’u rikthyer si kryeministër i Shqipërisë.  /albeu.com/

 


Shtuar 11.12.2021 14:10