Sali Berisha mbyll protestën me një paralajmërim para zyrës së Edi Ramës

Kryedemokrati Sali Berisha në foltoren para Kryeministrisë ka deklaruar këtë të hënë se nuk do të largohen nga sheshi deri në momentin që do shpëtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët nga banda në pushtet.

Sali Berisha u shpreh se paratë e krimit dhe bashkëpunimi i Edi Ramës me baronët e drogës bëjnë ligjin në Shqipëri.

Kreu i demokratëve nënvizoi se nuk do të lejojnë qeverinë që të përdorë Parlamentin në mënyrën më të zezë ndërsa theksoi se koha e qeverisë aktuale ka mbaruar.

Pas kësaj deklarate, kryedemokrati mbylli fjalimin e tij dhe njëkohësisht edhe protestën e cila zhvillohet çdo të hënë para godinës së qeverisë.

“Ne nuk e lëshojmë këtë shesh. Ky është sheshi ynë. Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë nga banda në pushtet. Arma e tmerrshme e kësaj bande është droga. Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me konteiner.

Qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë. Mijëra punëtorë dalin të papunë dhe marrin rrugët e dheut. Pse ikin? Se shkatërrohen vendet e punës. 35 për qind të vlerësohet euro. Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, 35 për qind më pak marrin.

Çmimet stratosferike në ndërtime se baronët e drogës s’i kanë gjë paratë. Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, në Elbasan, vret këdo. Edi Rama qeveris së bashku me ta. S’e pranojmë kurrë këtë. E ka shndërruar parlamentin në institucionin më të turpshëm të vendit. Parlamenti është vota dhe vullneti juaj.

A do e lejojmë të përdorë parlamentin siç po e përdor? Jo, kurrë. Koha është e jona. Këtyre iu ka ikur koha. Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që iu kanë bërë shqiptarëve.”-tha Berisha.


Shtuar 1.12.2025 19:51

Tags: ,