Sali Berisha: Kur Shqipëria digjej, Rama i caktoi vetes pension 30 herë më të lartë se mesatarja

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, i cili ka miratuar për veten një pension të përmasave rekord, në një kohë kur vendi ishte i përfshirë nga zjarret.

Sipas Berishës, Rama ka caktuar një pension mujor prej 4 milionë lekësh, që përkthehet në rreth 48 milionë lekë në vit.

Ai tha se kjo shumë është 30 herë më e madhe se pensioni mesatar në Shqipëri, i cili sipas të dhënave të INSTAT, arrin vetëm në 1.6 milionë lekë në vit.

“Edi Rama caktoi për veten një pension 30 herë më të madh se mesatarja e pensioneve në Shqipëri. Ky është vendim i paprecedent, i denjë vetëm për diktatorë të rrallë”, u shpreh Berisha.

Gjithashtu, lideri i opozitës theksoi se edhe presidenti i vendit ka një pension më të ulët, prej 3.5 milionë lekësh në muaj.

Ai akuzoi Ramën se në vend që të merrej me problemet e qytetarëve gjatë krizës së zjarreve, ishte i përqendruar tek interesat e tij personale.

Berisha: Por, lajmi i verës, përveç këtij mashtrimi të shëmtuar publik, është fakti se Edi Rama caktoi vetes pensionin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi.

Në një kohë kur vendi digjej flakë në të katër anët, ai kujtohej sipas medieve, të përcaktojë për kryeministrin pensionin prej 4 milionë lekë.

Pra, 4 milionë lekë, do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete. E garantoj se kurrë nuk do e gëzojë sepse pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT-it në Shqipëri është gjithsej 1.6 milionë lekë.

Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 e sa herë më të madh se mesataren e pensionit në vendin e tij.

Nuk ka, përveç diktatorëve të rrallë sot, që mund të ndërmarrin një veprim të tillë. Madje edhe presidentit ia caktoi më të ulët atij. 3.5 milionë lekë. Ky ishte preokupimi veror i narkodiktatorit. Pensioni i tij.


Shtuar 19.08.2025 14:22