Sa të rrezikuar jemi nga një Çernobil i dytë? Përgjigjet eksperti

Kostandin Dollani, ish-drejtues i Institutit të Mbrojtjes nga rreziqet ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku foli për rrezikun që paraqesin centralet bërthamore në Ukrainë, dy prej të cilëve janë marrë nën kontroll nga Rusia. Ai tha se nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë një Çernobil i dytë pasi kushtet nuk janë të njëjta si në 1986 kur ndodhi ngjarja.

Sipas ekspertit, vendi ynë nuk është i rrezikuar nga Çernobili. Ai shton se centrali i Zaporizhzhia ka një efekt më të madh por do të prekej vetëm Ukrainë, Rusia dhe Bjellorusia. “Ne jemi shumë larg. Efekti i Çernobilit do të ishte përbrenda Ukrainës, nuk do të shkonte më tej. Ndërsa Zaporizhzhia ka efekt më të madh, janë 6 njësi që janë në funksionim dhe dy prej tyre janë aktive.

Ka ndodhur një akt më i rëndë sepse u bombardua. U dogj një godinë që ishte pjesë e centralit. U tha se ishte një zyrë që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë por ishte brenda perimetrit mbrojtës. Nëse ndodh do të dëmtohen vetëm Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.”, tha Dollani.

Ndërkohë doktor Gerald Kola, gjatë një lidhjeje me Skype tha se institucionet duhet të reagojnë për jodin që mbron nga rrezatimi. “Duhet të ndërgjegjësohemi insitucionalisht. A janë të përgatitur institucionet kundër emergjencave civile, ata që paguhen nga taksat tona që të në përgjigjen në këtë lloj situate.”, tha mjeku.

Ndërsa farmacistja Levinja Bellovoda, në një lidhje me Skype nga Korça apeloi qytetarët të mos marrin jod pasi dëmton gjendjen tiroide.“Duhet të qetësohemi dhe të mos përhapim panik. E para duhet të jesh i ekspozuar që të pish jodium kaliumi por do të duhen doza më të mëdha dhe do të dëmtonte gjendjen tiroide.

Nuk prek vetëm gjendjen tiroide por dëmtohet dhe ADN, pra ndodhin dëmtime në të gjithë organizmin. Nga Çernobili ka pasur probleme me leuçemi dhe forma të tjera të kancerit. Njerëzit duhet të jenë të qetë dhe të mos blejnë jod sepse nuk do të bënte punë.”, tha ajo.


Shtuar 15.03.2022 11:17