Sa shqiptarë paguajnë për të pasur internet në shtëpi?

Kur vjen çështja tek interneti, shumë shqiptarë zgjedhin të abonohen në kompani të cilat ofrojnë si shërbimin e internetit, ashtu edhe atë të televizorit apo të telefonisë në shtëpi. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në krahasim me vitin e kaluar, ka pasur një rritje të qytetarëve dhe bizneseve që përdorin shërbimet nga rrjetet fikse, me përjashtim të telefonisë fikse.

Në krahasim me tremujorin e parë 2024, këtë vit rezulton që shqiptaët të kenë instaluar një numër më të madh pajisjesh që ofrojnë internet në shtëpi. Numri i pajtimtarëve me akses Broadband në internet nga rrjete fikse arriti në rreth 682 mijë, që përbën një rënie me 0.7% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, por një rritje me rreth 7.1% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2024.

Ndërkohë, numri i atyre që paguajnë për të pasur telefoni, internet dhe televizor bashkë, në shtëpinë ose biznesin e tyre, arriti në rreth 296 mijë në fund të marsit, një rënie kjo me 1.1% në krahasim me tremujorin e fundit 2024, por është rritur me 0.9% vlerësuar me tremujorin e parë të 2024-ës.

Nga ata që zgjedhin paketa të integruara, 47.6% abonohen për paketa dyfishe (internet dhe televizor), 29.9% paguajnë në një kompani të vetme për paketa dyfishe (internet dhe telefoni), ndërsa 22.5% abonohen për paketa trefishe (internet, televizor dhe telefoni).

Për sa i përket telefonave të vjetër me kabëll, përdorimi i tyre vijon të bjerë. Sipas statistikave zyrtare, numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të parë 2025 është raportuar rreth 159 mijë, duke rënë me 6.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Shtuar 6.08.2025 23:20

Tags: ,