Sa ka ndikuar arrestimi i Veliajt në fushatë? Rama “injoron” kryebashkiakun

Kryeministri Edi Rama, ka folur në prag të çeljes së fushatës së PS për zgjedhjet e 11 majit.

I pyetur sa ka ndikuar arrestimi i Erion Veliajt para fushate, Rama zgjodhi të “injorojë” kryebashkiakun e Tiranës.

Në një intervistë për Top Channel, kreu i qeverisë tha se nuk dëshiron të japë asnjë koment, pasi sipas tij, fokusi është te 11 maji.

Pyetje: Është fakt që Erion Veliaj ishte një makinë elektorale në Tiranë. Sa ka ndikuar arrestimi i tij në fushatën elektorale të Tiranës?

Rama: Nuk do të bëj asnjë koment për këtë. Tani jemi të gjithë të fokusuar te 11 maji dhe çdo energji, çdo forcë, çdo gjallë është vetëm për 11 majin.

Pyetje: Sa shqetësuese janë për rezultatin përfundimtar të PS-së, përfshirja e partive të reja në këtë garë elektorale?

Edi Rama: Nuk kemi asnjë shqetësim për këtë. Partitë e reja, që në fakt, në këndvështrimin tim me aq sa kam parë dhe me aq sa kam mundur të dëgjoj deri më sot, të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të partive të tyre, sepse qasjen, gjuhën, mënyrën e ndërveprimit e kanë shumë të vjetër dhe të kujtojnë “kënetën” një në dy fjalë, një në dy gjeste, një në dy ulërima. Por nga ana tjetër janë të mirëseardhura në fushën e betejës. Nuk mund t’i uroj sukses, por patjetër që nuk kam asnjë problem me ta.


Shtuar 11.04.2025 14:12

Tags: ,