Rusia njoftoi më herët të mërkurën se kishte shkatërruar anijen sulmuese amfibe Yuri Olefirenko në Odesa, në jug të Ukrainës, për të cilën Moska tha se ishte luftanija “e fundit” e Ukrainës që ende funksiononte.
“Më 29 (maj), pas një goditjeje të forcave ajrore ruse me armë të saktësisë së lartë në zonën e Odessa, anija luftarake e fundit e marinës ukrainase u shkatërrua,” njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
AFP nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë informacion. Për momentin, Marina e Ukrainës nuk e ka komentuar njoftimin.
“Yuri Olefirenko” njihej më parë me emrin “Kirovograd”. Ajo u riemërua në vitin 2016 për nder të oficerit ukrainas të vrarë në 2015 pranë Mariupolit. Në qershor 2022, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dekoroi ekuipazhin e anijes për “heroizmin” e tyre në mbrojtjen e vendit./Albeu.com/