Rusia po e “çan rrjetën” e sanksioneve të Perëndimit duke mundur të prodhojë ende armë

Nga Daniel Bush “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Rusia po shfrytëzon boshllëqet në kontrollet e eksportit për të blerë sasi të mëdha teknologjie nga Perëndimi, të cilat më pas i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës. Në një investigim të gjatë “Neësweek” ka zbuluar se një pjesë të madhe e materialeve kalon përmes Kinës.

Më shumë se 60 për qind e elementëve përbërës jetikë të importuar që përdoren tek armët ruse vijnë nga kompanitë amerikane. Qasja që ka Rusia në këtë teknologji, është dukshëm më e madhe se sa pranohet nga zyrtarët perëndimorë, të cilët shpesh mburren me kontrollet e eksportit dhe sistemin e sanksioneve që kanë vendosur kundër Moskës, pjesërisht si një përpjekje për ta penguar atë të furnizohet me pjesët e nevojshme për ndërtimin e armëve të saj.

Sipas një analize nga KSE Institute, një institut kërkimi në Shkollën Ekonomike të Kievit, në të cilin Newsweek ka pasur qasje ekskluzive, midis marsit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, Rusia importoi 20.3 miliardë dollarë në komponentë të lidhur me pajisjet ushtarake.

Kjo shifër është më e lartë se sa është raportuar më parë, dhe përfaqëson vetëm një rënie prej 15 për qind nga viti para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Në përgjithësi, Rusia bleu teknologji të cilat ishin prodhuar nga 155 kompani me seli në SHBA ose Evropë, si dhe në Azi dhe Lindjen e Mesme.

Sipas të dhënave të veçanta të përpiluara nga autoritetet ukrainase, 66 për qind e komponentëve të huaj shumë të rëndësishëm të gjetur në sistemet e armëve që ka përdorur ushtria ruse në Ukrainë, janë prodhuar nga kompani që kanë selinë e tyre në SHBA.

“Ajo që shohim nga këto të dhëna, është se ushtria ruse mbështetet ende tek elementët përbërës perëndimorë për sistemet e saj të armëve”- tha për Newsweek Elina Ribakova, drejtore e Programit të Çështjeve Ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Kievit.

Sipas të dhënave tregtare zyrtare që jep Rusia, midis marsit dhe dhjetorit 2022, Moska importoi 72 për qind të vlerës totale të komponentëve të saj jetikë nga Kina, me një rritje nga vetëm 22 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por shumicën e teknologjisë me përdorim të dyfishtë që importon Rusia nga Kina, prodhohet në Amerikë dhe Evropë, gjë që e hedh poshtë argumentin e liderëve perëndimorë se kontrollet e eksporteve po e privojnë Moskën nga teknologjia e përparuar që i nevojitet për të vazhduar luftën në Ukrainë.

Raporti i KSE zbuloi një mori detajesh të reja mbi sistemet specifike të armëve ruse në Ukrainë që mbështeten tek teknologjia perëndimore, bazuar në analizën që i kanë bërë autoritetet ukrainase pajisjeve të gjetura në fushën e betejës. Po ashtu, ai tregon të dhënat e tregtisë ruse gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2023.

Të dhënat dalin nga përshkrimet e detajuara të artikujve të importuar, vendet nga kanë ardhur dhe kompanitë që i kanë prodhuar. Dhe nga ato rezulton se Moska ka më pak qasje tek komponentët e teknologjisë së fundit se sa para luftës, dhe besohet gjerësisht se me kalimin e kohës kontrollet e eksportit do ta degradojnë më tej sektorin e mbrojtjes së Rusisë, duke shkaktuar në probleme serioze afatgjata për ushtrinë e saj.

Por 16 muaj pas konfliktit, është e qartë se SHBA dhe aleatët e saj duhet të ndërmarrin hapa shtesë për të siguruar që sanksionet ndaj eksporteve të arrijnë rezultatet e tyre të dëshiruara, thotë Emily Kilcrease, drejtoreshë e Programit të Energjisë, Ekonomisë dhe Sigurisë në “Center for a New American Security“, një institut kërkimor me seli në Uashington.

“Ne jemi aktualisht në pikën ku kontrollet e eksportit duhet të nisin të kenë një ndikim. Por Rusia po i përshtatet rrethanave”- shtoi Kilcrease. Ndërkohë kompanitë amerikane, produktet e të cilave u gjetën në armët ruse në Ukrainë thanë për Newsweek se nuk bëjnë biznes me Rusinë, dhe e dënuan përdorimin e produkteve të tyre në konflikt.

“Kompanitë duhet të bëjnë më mirë për sa i përket respektimit të kontrolleve dhe sanksioneve të eksportit”- thotë Erika Trujillo, bashkëthemeluese dhe drejtoreshe e SEIA, një kompani me qendër në Mynih të Gjermanisë, që i këshillon kompanitë shumëkombëshe mbi pajtueshmërinë tregtare, kontrollet dhe sanksionet e eksportit.

Regjimi i kontrollit të eksporteve dhe sanksioneve kundër Rusisë, cilësohet nga administrata e Joe Biden si më i madhi i vendosur ndonjëherë kundër një ekonomie të madhe. Masat e SHBA-së dhe aleatëve të saj, kanë synuar prodhimin e energjisë, sistemet financiare dhe qasjen e Rusisë në teknologjitë më të përparuara të kohës.

Megjithatë, sipas të dhënave të Ukrainës të marra nga Instituti KSE, Ukraina ka identifikuar 1057 komponentë të huaj në 58 pjesë të ndryshme të pajisjeve kritike ushtarake ruse. Mikroçipet dhe procesorët, përbëjnë gati gjysmën e totalit të importeve. Por ndërkohë Rusia importon shumë produkte të tjera të përdorura në sistemet e raketave, të komunikimit, dhe elementë të tjerë që përdoren sot në luftë.

Në disa raste, fluksi i përbërëse jetike është rritur në 3 muajt e parë të këtij viti. Po sipas të dhënave tregtare, Rusia importoi 28 për qind më shumë kushineta dhe 27 për qind më shumë sisteme navigimi dhe sensorë në këtë periudhë, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Autoritetet ukrainase gjetën mikroçipa të importuar, procesorë, marrës, pajisje memorie, transistorë, konvertues DC-në-DC dhe komponentë të tjerë në 4 lloje raketash të prodhuara nga Rusia:Kh-59, Kh-101, Kalibr dhe Iskander-K.

Një teknologji e ngjashme e prodhimit të huaj, u gjet në 7 lloje automjetesh të blinduara dhe njësi të artilerisë ruse, përfshirë Tor-M2, një sistem raketash të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe tankun e betejës T-72. Por përbërës të importuar u zbuluan gjithashtu në 7 lloje të ndryshme dronësh, mes tyre modelin rus Orlan-10 dhe 2 modele iraniane, Shahed-131 dhe Shahed-136.

Shitjet e mirë-dokumentuara të avionëve nga Irani tek Rusia, pasqyrojnë qartë mënyrën se si Moska ka arritur të shmangë kontrollet ndërkombëtare të eksporteve. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, kanë pak në dorë për të bllokuar rrugën tregtare të Detit Kaspik të përdorur nga dy shtetet që kanë qenë prej kohësh në konflikt me Perëndimin.

Por shumica e importeve të Moskës me përdorim të dyfishtë, janë shumë më të vështira për t’u zbuluar. Ekspertët thonë se rasti tipik i evazionit përfshin një dërgesë të komponentëve kritikë që shiten dhe rishiten disa herë, shpeshherë në një seri marrëveshjesh midis bizneseve legjitime, përpara se ajo të mbyllet përfundimisht në Kinë ose në një vend tjetër ku një kompani ruse off-shore mund t’i blejë mallrat dhe eksportojë ato në Rusi.

Rusia dërgon produkte me përdorim të dyfishtë përmes Kaukazit, pjesëve të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Por të dhënat tregtare, tregojnë se Kina është deri tani transportuesja më e madh e mikroçipëve dhe teknologjive të tjera në Rusi. Midis tetorit dhe dhjetorit 2022, Rusia importoi 87 për qind të mikroçipëve të saj nga shitësit në Kinë, megjithëse vetëm 40 për qind u prodhuan realisht atje.

Newsweek iu drejtua për koment qeverisë ukrainase dhe ministrive të jashtme, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik të Rusisë. Po ashtu kërkoi reagime për këtë histori nga ministritë e mbrojtjes kombëtare, të punëve të jashtme dhe tregtisë së Kinës, si dhe nga ministritë e jashtme të Iranit dhe Turqisë.

Përbërësit jetikë të prodhuara nga 5 kompani me bazë në SHBA, Analog Devices, Texas Instruments, Microchip Technology, Intel Corporation dhe Advanced Micro Devices (AMD) – përbëjnë 52 për qind të importeve të teknologjisë që gjenden në sistemet e armëve ruse.

Por Rusia po fiton qasje edhe tek produktet nga një numër më i madh kompanish të mesme dhe të vogla sesa është raportuar më parë. Nga 155 kompanitë, komponentët kritikë të të cilave u identifikuan në pajisjet ushtarake ruse, 59 ishin me bazë në SHBA. Ekspertët thonë se prodhuesit nuk mund të mbahen përgjegjës për shmangien e kontrollit të eksporteve të Moskës.

Newsweek kontaktoi Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Tregtisë së SHBA, dhe një zyrtar i Departamentit të Tregtisë, tha se përpjekjet e Rusisë për të anashkaluar kontrollet dhe sanksionet e eksportit janë prova se sanksionet po funksionojnë.

 

Marrë me shkurtime


Shtuar 22.06.2023 12:13