Rusia nuk ndalet, paralajmëron vendet e tjera: Do t’ju ndërpres furnizimin me gaz

Duket se Rusia nuk po ndalet me vendosjen e sanksioneve ndaj shteteve që kanë bërë të njejtën gjë me të.

Së fundmi në një deklaratë për mediat zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, ka paralajmëruar vendet e tjera të Bashkimit Evropian se mund t’iu ndërpresë furnizimet me gaz natyror rus nëse refuzojnë të paguajnë në rubla.

Komentet e tij erdhën pasi Rusia ndaloi furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, një lëvizje që liderët evropianë e denoncuan si “shantazh”.

Sipas mediave të huaja mësohet se gjigandi rus i kontrolluar nga shteti, Gazprom, tha se po i ndërpret gazin natyror Polonisë dhe Bullgarisë sepse ata refuzuan të paguanin në rubla ruse, në përputhje me një dekret të lëshuar muajin e kaluar nga Presidenti Vladimir Putin. Gazprom tha se nuk kishte marrë asnjë pagesë të tillë që nga fillimi i muajit.

Duke folur për gazetarët, Peskov tha: Rusia ishte dhe mbetet një furnizues i besueshëm i burimeve të energjisë për konsumatorët e saj dhe mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj kontraktuale.

Ndër të tjera ai shtoi më tej: Kur të afrohen afatet e pagesës, nëse disa konsumatorë refuzojnë të paguajnë sipas sistemit të ri, atëherë sigurisht që do të zbatohet dekreti i presidentit.

Nga ana tjetër i pyetur nëse Rusia ishte gati për humbjet buxhetore që mund të përballonte nëse vendet evropiane refuzonin të paguanin për gazin në rubla, Peskov u përgjigj: Gjithçka është llogaritur, janë parashikuar të gjitha rreziqet dhe janë marrë masat e nevojshme./albeu.com


Shtuar 27.04.2022 16:06