Rusia, Kina dhe Irani në “oborrin e pasmë” të Amerikës

Nga Walter Russell Mead “Wall Street Journal”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Lajmet nga Amerika Latine janë të zymta. Dhe reagimi i administratës së Joe Biden është shumë i dobët. Lajmit tronditës i raportuar nga kjo gazetë se Kina po i ofron Kubës miliarda dollarë në këmbim të ndërtimit të një objekti të sofistikuar të shërbimeve sekrete që do të përdoret kundër SHBA-së, Shtëpia e Bardhë iu përgjigj me një mohim klasik të mos-mohimit.

Raporti nuk ishte “i saktë”, tha një zëdhënës, që përkthyer nga zhargoni i korridoreve të pushtetit në Uashington do të thotë se historia ishte kryesisht e saktë, por do të ishte politikisht e papërshtatshme që të pranohej kjo gjë. Deri të shtunën, Shtëpia e Bardhë ishte në fazën 2 të mos-mohimit. Ajo e pranoi, se ndoshta ekziston një objekt i tillë, dhe se mbase Kina dhe Kuba po bashkëpunon për ta përmirësuar atë.

Por sipas saj, për gjithë këtë që ka ndodhur, faji është i administratës së mëparshme, dhe se në çdo rast, administrata aktuale po adreson të gjitha çështjet e rëndësishme përmes kanaleve diplomatike. Por Kuba është vetëm maja e ajsbergut.

Nga Tijuana në Tierra del Fuego, interesat amerikane janë nën kërcënim, pasi thuajse çdo vend në Amerikën Latine vuan nga probleme të mëdha sociale, politike dhe ekonomike. Kartelet e trafikut të narkotikëve e kanë forcuar kontrollin e tyre në pjesën më të madhe të Amerikës Qendrore dhe në Karaibe.

Rendi dhe ligji është në prag të kolapsit në Ekuador, teksa destabiliteti politik po përhapet në vende si Bolivia dhe Peruja. Argjentina po korr sërish rezultatet katastrofike të politikës ekonomike populiste peroniste. Diktatura venezueliane po vazhdon të forcojë kontrollin e saj mbi popullatën, teksa po thith pasurinë e mbetur nga ai që duhet të jetë një nga kombet më të pasur në hemisferë.

Haiti nuk ka më as fantazmën e një qeverie. Në Brazil, as parrullat e djathta populiste të qeverisë Bolsonaro, dhe as ato të majta të Partisë së Punëtorëve të presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva, nuk ofrojnë shumë shpresë për një ekonomi në stanjacon dhe që po de-industrializohet me shpejtësi.

Siç është tradicionale për ta, populistët latinë po fajësojnë kapitalizmin dhe SHBA-në për dështimin e pashpjegueshëm të politikave të tyre aq të reklamuara. Po ashtu, po presin me tapetin e kuq kundërshtarët e Amerikës. I tillë ishte rasti i presidentit të Iranit Ebrahim Raisi, që po viziton së fundmi Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën.

Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën po lulëzojnë. Moska ka rinisur përpjekjet e saj të Luftës së Ftohtë për të subvencionuar një ekonomi kubane, e cila në njëfarë mënyre, pavarësisht 60 viteve të planifikimit socialist, mbetet e paaftë që të përmbushë nevojat bazë të popullsisë.

Por përpjekjet e Moskës janë zbehur nga ato të Pekinit. Tregtia e Kinës me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve u rrit nga 18 miliardë dollarë në vitin 2002, në 450 miliardë dollarë 20 vjet më vonë, dhe parashikohet të arrijë në 700 miliardë dollarë deri në vitin 2035.

Nga minierat e litiumit në Bolivi deri tek portet strategjike në të dyja skajet e Kanalit të Panamasë, kompanitë kineze po përfshihet në të gjithë sektorët e infrastrukturës jetike.

11 ose më shumë baza në 5 vende të rajonit, i japin Pekinit aftësi të sofistikuara gjurmimi dhe mbikëqyrjeje, dhe Kina shpreson që ta zgjerojë më tej këtë rrjet.

Inkursionet e vazhdueshme të rivalëve amerikanë në Hemisferën Perëndimore do të kishin shkaktuar një stuhi politike në çdo kohë që nga ajo e James Monroe, që publikoi doktrinën e tij të famshme. Por Amerika Latine dhe Karaibet, janë vendet e fundit të mbetura ku struktura e politikës së jashtme amerikane duket se është fiksuar pas vetëkënaqësisë që krijoi pas-Lufta e Ftohtë përkundrejt rivalëve të Amerikës.

Ashtu siç establishmenti tallej dikur me idenë se ambiciet ruse në ish-republikat sovjetike mund të përbënin ndonjë kërcënim për paqen evropiane, ose se forcimi i bazave ushtarake të Kinës pranë Tajvanit mund të ndikonte mbi interesat amerikane, tani ai hedh poshtë idenë se aktivizmi i kinez, rus dhe iranian në Hemisferën Perëndimore mund ta dëmtojë sigurinë e SHBA-së.

Në rast se ka pasur një mëkat të vetëm që ka nxitur dështimin e gjeneratave të politikës së jashtme amerikane dhe që na çoi nga qasja e “fundit të historisë” të fillimit të viteve 1990 në situatën tonë aktuale globale të zymtë, ai është fiksimi pas qëllimeve madhështore dhe të paqarta globale në kurriz të interesave kombëtare të amerikanëve, siç kuptohen tradicionalisht ato.

Siguria dhe zhvillimi i fqinjësisë sonë kanë një rëndësi të madhe për SHBA-në. Por Amerika Latine ka qenë më së shumti një mendim dytësor në politikën e jashtme amerikane që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Monroe kishte të drejtë. Siguria e SHBA-së kërkon që asnjë fuqi armiqësore të mos e kthejë Hemisferën Perëndimore në një arenë të rivalitetit gjeopolitik.

Për të parandaluar ndërhyrjen e huaj në punët e kombeve të kësaj hemisfere, SHBA-ja duhet të punojë me fqinjët për të parandaluar dështimet e qeverisjes nga krijimi i kushteve kaotike në të cilat fuqitë armiqësore mund të ndërhyjnë frytshëm.

Pasiviteti i Uashingtonit ndaj karteleve të drogës që minuan strukturat shtetërore dhe fuqitë e huaja armiqësore që krijuan baza në të gjithë hemisferën, i dhanë një mundësi historike Kinës, Rusisë dhe Iranit. Nëse Joe Biden nuk mëson aq të frymëzohet nga doktrina e James Monroe, kokteji toksik i destabilitetit dhe ndërhyrjes së huaj në hemisferën perëndimore mund ta minojë shumë shpejt aftësinë e Amerikës për t’u përballur me sfidat më të largëta. /albeu.com


Shtuar 14.06.2023 10:11