Rusia i përgjigjet anëtarësimit të Finlandës në NATO: Do të forcojmë potencialin ushtarak

Rusia planifikon të forcojë potencialin e saj ushtarak në disa pjesë të vendit në përgjigje të pranimit të afërt të Finlandës në NATO, raportojnë mediat shtetërore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi gjatë një konference për shtyp në Bruksel se Finlanda do t’i bashkohet aleancës ushtarake nesër.

Agjencia ruse e lajmeve RIA ka cituar zëvendësministrin e Jashtëm Alexander Grushko të ketë thënë se Rusia do të ndërmarrë hapa për të garantuar sigurinë ushtarake të vendit në përgjigje të njoftimit.

“Ne do të forcojmë potencialin tonë ushtarak në drejtimin perëndimor dhe veriperëndimor”, tha ai.

“Në rast se forcat dhe burimet e anëtarëve të tjerë të NATO-s vendosen në Finlandë, ne do të ndërmarrim hapa shtesë për të garantuar me siguri sigurinë ushtarake të Rusisë”, shtoi ai. /albeu.com


Shtuar 3.04.2023 15:31