Rusia i bën thirrje Moldavisë të “ndalojë retorikën anti-ruse”

Rusia i bëri thirrje sot Moldavisë që të ndalojë “retorikën anti-ruse të konfrontimit” pasi parlamenti i vendit miratoi një rezolutë që denonconte “operacionin rus në Ukrainë”.

“Ne u bëjmë thirrje edhe një herë autoriteteve moldave që t’i japin fund retorikës anti-ruse të konfrontimit, e cila është plotësisht e pabazë”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Zakharova pohoi gjithashtu se “informacionet e rreme rreth planeve joekzistente të Moskës për të destabilizuar” Moldavinë dhe përpjekjet për të “rritur artificialisht tensionin” në Transnistria, rajoni pro-rus që është shkëputur nga Moldavia, janë përhapur.

“Nga ana jonë, ne konfirmojmë se kemi vullnetin për të forcuar bashkëpunimin konstruktiv me Kishinau në një bazë realiste dhe për të vazhduar përpjekjet për të zgjidhur problemin Transnistrian”, shtoi Zakharova.
Parlamenti i Moldavisë miratoi sot një rezolutë që denoncon pushtimin rus të Ukrainës dhe shpreh mbështetjen e Kishinjeut për sovranitetin dhe pavarësinë e vendit fqinj.

Moldavia, një ish-republikë sovjetike që aspiron të anëtarësohet në BE, ka frikë të jetë objektivi i ardhshëm i Moskës dhe ky shqetësim është intensifikuar javët e fundit.

Presidentja e Moldavisë Maya Sandu, duke cituar dokumentet e sekuestruara nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, akuzoi Moskën në mes të shkurtit për nxitjen e një grushti shteti për të rrëzuar qeverinë moldave.

Në këtë kontekst të tensionuar, presidenti rus Vladimir Putin revokoi në fund të shkurtit një dekret të vitit 2012 që do të kishte qenë kuadri për zgjidhjen e çështjes së Transnistrisë “në bazë të respektimit të sovranitetit kombëtar” të Moldavisë./Albeu.com/


Shtuar 2.03.2023 21:51

Tags: ,