Rusia drejt shpërbërjes, qindra popuj pritet të ngrenë krye ndaj Moskës?

Nga Alexander J.Motyl “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sikur udhëheqësi të mos kishte mjaftueshëm probleme me një ekonomi në tkurrje, popullsi në rënie, elitat e inatosura me të, me legjitimitetin në rënie, izolimin ndërkombëtar dhe një luftë të humbur tashmë në Ukrainë, autoritari rus Vladimir Putin përballet me një tjetër skenar të frikshëm.

Kombet jo-ruse të Federatës Ruse mund të jenë në prag të shpërfaqjes së vetes si aktorë sovranë dhe të përshpejtimit të kolapsit të saj. Ironia do të ishte shumë e ëmbël: duke sulmuar Ukrainën, Putini mund të  jetë duke nxitur shpërbërjen e Rusisë, dhe duke treguar kështu se pasojat e padëshiruara mund të jenë vdekjeprurëse.

Forumi i Kombeve të Lira të Rusisë (FNRF) është grupimi politik i emigrantëve jo-rus që shpreson të zëvendësojë Federatën Ruse me një sërë shtetesh të pavarura. FNRF u themelua në vitin 2022 nga Ilya Ponomarev, një ish-anëtar i Dumës ruse, që e kundërshtoi aneksimin e Krimesë nga Putin në vitin 2014 dhe e denoncoi pushtimin e tij të Ukrainës vitin e kaluar.

Një kundërshtar i njohur i diktatorit rus dhe i regjimit të tij fashist, Ponomarev banon aktualisht në Ukrainë. Forumi është mbledhur 5 herë, ku takimi i fundit është zhvilluar në Bruksel – në godinën e Parlamentit Evropian Paul-Henri Spaak – në fund të janarit të këtij viti.

Dy anëtarë të Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë të Parlamentit (ish-ministrja polake e Punëve të Jashtme Anna Fotyga dhe Kosma Złotoëski, ish-deputet i të

dy dhomave të parlamentit polak) e drejtuan dhe moderuan takimin, që u ndal tek temat e mëposhtme: Ideologjia Perandorake (Nga Muskovi tek Miri (bota) ruse); Pushtimi dhe shfrytëzimi (nga Ivani i Tmerrshëm te Vladimir Putin); Ndikimi i sulmit të Moskës ndaj Ukrainës mbi kombet dhe rajonet në Federatën Ruse; De-imperializimi dhe De-kolonizimi; dhe Burgu i Kombeve pas Luftës dhe Politika Perëndimore ndaj Rusisë.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të rajoneve, për të cilat shumica e lexuesve nuk kanë dëgjuar ndoshta kurrë: Siberia, Cherkessia, Ichkeria (Çeçenia), Republika Pskov, Republika Laplandia/Murmansk, Republika Nogai, Don-Kazakia, Tatarstani, Ingria-Letonia, Republika e Moskës, Kuban, Bashkortostan, Sakha (Jakutia), Königsberg (Kaliningrad), Karelia, Ingushetia, Buryatia dhe Idel-Ural.

Ndër emrat më të rënësishëm që folën ishin Vladislav Inozemtsev, një ekonomist shumë i respektuar rus; Pavlo Klimkin, ish-ministër i Jashtëm i Ukrainës; Edëard Lucas, analist i njohur britanik; dhe Janusz Bugajski , bashkëpunëtor në The Jamestoën Foundation në Uashington dhe autor i librit të botuar së fundmi “Shteti i dështuar: Një udhëzues për këputjen e Rusisë”.

Siç raportoi uebsajti liberal rus Meduza: “Praktikisht të gjithë folën për gjenocid, dhe arritën në përfundimin se çlirimi nga shtypja e kolonizatorit (pra Moska) do të sillte zhvillimin si të rajonit që shkëputet po ashtu edhe të gjithë territorit që quhet ende zyrtarisht Rusi.

Pas konferencës, 5 pjesëmarrës deklaruan se më 16 shkurt do të mbajnë referendume online për shkëputjen e rajoneve të tyre. Ndjenja të tilla mund të jenë fisnike dhe vendi mund të jetë mbresëlënës, por kush e thotë se Forumi përfaqëson dikë në vendet në fjalë?

Emigrantët politikë në mbarë botën kanë një histori të gjatë të bërjes së pretendimeve bombastike, që tek e fundit nuk kanë asnjë peshë. Londra, Parisi, Berlini dhe Vjena kanë parë përgjatë historisë më shumë princër dhe pretendentë të rëndësishëm për pushtet.

Madje atë e kanë pasur dhe shumë emigrantë politikë. Udhëheqësi bolshevik Vladimir Lenin e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë vendit, dhe u rikthye në një Rusi revolucionare vetëm në pranverën e vitit 1917, siç bëri edhe revolucionari tjetër rus Leon Trotsky.

Ajatollah Ruhollah Khomeini kaloi mbi 14 vjet në mërgim. Udhëheqësi komunist vietnamez, Ho Chi Minh, ishte një emigrant për pjesën më të madhe të jetës së tij të hershme. Mohandas Gandhi e ushtroi për 2 dekada profesionin e avokatit në Afrikën e Jugut përpara se të kthehej në Indi.

Pra do të ishte e parakohshme që ky forum të shpërfillet si një organizim absurd i disa emigrantëve. Megjithëse toni i raportit të Meduza-s ishte skeptik, gazetari i këtij rrjeti informativ mori pjesë vetë në atë aktivitet dhe shkroi një artikull të gjatë, duke sugjeruar se çështjet që u trajtuan atje ia vlenin që t’u kushtohej vëmendje.

Shefi i propagandës së Putinit, Vladimir Solovyov, u përpoqe të tallej me këtë takim. Një shenjë kjo e sigurt se ai është i shqetësuar. Ashtu si Putin, i cili ka shpenzuar dy dekada duke hequr dorë nga prerogativat e njësive administrative jo-ruse të Rusisë. Së fundmi, ai e reduktoi Tataristanin në një provincë të Federatës ruse.

Fakt është se pavarësisht nga vetë-perceptimet dhe deklaratat disi ekzaltuese të Forumit, Rusia ka në fakt një problem serioz me provincat e saj të shumta dhe republikat autonome. Ky vend është thjesht shumë i madh dhe me shumë pakënaqësi rajonale ndaj Moskës dhe shpeshherë diktatet e saj nuk mund të mos jenë në rendin e ditës.

Çështja e vetme është se kur kjo pakënaqësi do të përkthehet në një përpjekje për shkëputje. Këtu hyn në skenë Putin. Ashtu si Mikhail Gorbachev dikur, që e “plagosi” për vdekje shtetin totalitar sovjetik me anë të Glasnostit dhe Perestrojkës, edhe Putin e ka plagosur për vdekje Rusinë fashiste me anë të luftës së tij gjenocidale kundër Ukrainës.

Shumë analistë të pavarur rusë bien dakord se Putin, regjimi i tij dhe shteti rus janë në telashe serioze. Telashe që vetëm sa do të shtohet me vazhdimin e luftës, shtimin e ushtarëve rusë të vdekur që kalojnë shifrën 200.000 dhe teksa humbja në fushën e betejës duket e pashmangshme.

Kombet jo-ruse të Rusisë kanë mbajtur deri tani peshën kryesore të viktimave. Disa analistë rusë thonë se jo rusët nuk e vlerësojnë aq shumë jetën sa rusët urbanë. Por jo-rusët dinë më mirë sesa vetëm t’u besojnë pikëpamjeve të tilla raciste.

Në një moment ata do të pyesin nëse është më mirë t’i nënshtrohen skemave shkatërruese të Putinit apo të rebelohen. Dhe kjo jo sepse do të jenë ndikuar domosdoshmërisht nga Forumi i Kombeve të Lira të Rusisë, por sepse shkëputja do të jetë garancia e vetme e mbijetesës në kaosin vdekjeprurës që duket se është e ardhmja e pashmangshme e Rusisë. /albeu.com

Shënim:Alexander J.Motyl, profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Neëark.


Shtuar 16.02.2023 10:51