Ruçi për Sherif Merdanin: Dënimet e komunistëve nuk i’a ndrydhën talentin dhe fisnikërinë

Kryetari i parlamentit në largim, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur Sherif Merdani.

Ruçi vë theksin te vuajtjet e shumta që ai hoqi në burgjet komuniste dhe sipas tij, ato nuk mundën ta ndalnin atë e ti merrnin fisnikërine.

Ai shton se Sherif Merdani solli emancipim të artit në një kohë të errët për vendin.

Mesazhi i Gramoz Ruçit:

Sherif Merdani ishte një këngëtar dhe artist i madh, që i këndoi me dashuri jetës, dashurisë, nënës dhe gjithshkaje të bukur te njerëzit, shpirti dhe ndjenjat e tyre. Repertori i Sherif Merdanit është një simfoni e dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Me artin e tij Sherif Merdani emancipoi artin, këngën dhe muzikën shqiptare. Për këtë kontribut emancipues, ky artist i madh vuajti dënime e sakrifikoi vite të tëra nga jeta e tij. Por këto vuajtje nuk ia ndrydhën talentin dhe nuk ia pakësuan fisnikërinë. Me këngët e Sherif Merdanit jemi rritur dhe ato do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm.”, shkruan në mesazhin e tij  Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Artisti i mirënjohur, Sherif Merdani ndërroi jetë ditën e sotme. Sipas Neës24, ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë./albeu.com


Shtuar 29.08.2021 21:50