Rubiales “braktiset” nga federata, skandali i puthjes i kushton shumë

Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka marrë tashmë një qëndrim zyrtar ndaj presidentit të suspenduar Luis Rubiales. Ata kanë premtuar edhe ndryshimet e kërkuara nga futbollistët e Kombëtares së Spanjës.

Pas një takimi të hënën pasdite, krerët e RFEF ranë dakord të lëshojnë një deklaratë në të cilën kërkojnë dorëheqjen e Rubiales, i cili aktualisht është i pezulluar nga FIFA.

“Pas ngjarjeve të fundit dhe sjelljeve të papranueshme që kanë dëmtuar rëndë imazhin e futbollit spanjoll, drejtuesit kërkojnë që zoti Luis Rubiales të paraqesë menjëherë dorëheqjen e tij si president i RFEF”, thuhet në njoftim.

Presidenti i përkohshëm Pedro Rocha është mbështetur si pasardhësi i tij deri në mbajtjen e zgjedhjeve në vitin 2024 dhe RFEF dëshiron që ai të menaxhojë tranzicionin.

Ata gjithashtu parashtruan disa ndryshime të tjera. Ata do të kërkojnë të zbatojnë ndryshime strukturore në anën sportive të gjërave në lojën e femrave.

Rocha do të tërheqë ankesën e paraqitur në UEFA nga Sekretari i Përgjithshëm Andreu Camps, duke kërkuar pezullimin e RFEF për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Kjo mund të kishte rezultuar në tërheqjen e ekipeve spanjolle nga garat ndërkombëtare.

Përveç kësaj, ato janë zotuar të vazhdojnë investimet e tyre në politikat e tyre të barazisë në mënyrë që të vazhdojnë zhvillimin e futbollit të femrave.

RFEF nuk ka kërkuar një votë mosbesimi ndaj Rubiales, gjë që do të kërkonte që 30 për qind e 140 delegatëve të Federatës të deklarojnë zyrtarisht mungesën e besimit të tyre me shkrim që ajo të shkojë në votim.

Duket gjithashtu se edhe pse jo zyrtararisht, trajneri Jorge Vilda do të lirohet nga detyra pas tetë vitesh në këtë rol. Vilda ka luajtur rolin e tij edhe në ngjarjet e nëntë ditëve të fundit dhe largimi i tij ishte padyshim një nga ndryshimet që kërkojnë 79 lojtaret spanjolle që kanë firmosur një deklaratë për t’u rikthyer në aksion.


Shtuar 29.08.2023 09:23