Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) ndodhet përballë një krize të rëndë financiare, e cila kërcënon seriozisht funksionimin e tij normal. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili, vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës.
Në një komunikim të brendshëm me strukturat financiare të institucionit, Vasili ka ngritur alarmin për gjendjen kritike të transmetuesit publik, duke theksuar se aftësia për të përmbushur detyrimet ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të jashtëm është vënë në rrezik.
“Gjendja aktuale është pasojë e një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie në drejtimin e RTSH-së, që përfshiu shkarkimin e Alfred Pezës, rënien e Këshillit Drejtues dhe drejtimin e përkohshëm të institucionit”, është shprehur Vasili ndërsa ka shtuar se këto zhvillime kanë sjellë një keqadministrim të thellë, duke e boshatisur arkën e RTSH-së.
Të dhënat e paraqitura nga RTSH në Ministrinë e Financave zbulojnë se vetëm përmes proceseve gjyqësore të fituara nga punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme, institucioni ka humbur deri më 31 maj mbi 730 mijë euro. Nëse llogariten edhe çështjet në pritje, humbjet e mundshme mund të arrijnë mbi 4 milionë euro.
Një tjetër gropë financiare prej rreth 4 milionë euro vjen nga kontratat për të drejtat televizive, gjysma e të cilave janë shpenzime të pa planifikuara dhe jashtë buxhetit vjetor të miratuar.
Në total, dëmi i përllogaritur i shkaktuar nga keqmenaxhimi i mëparshëm kap vlerën mbi 8 milionë euro, ose rreth një e treta e buxhetit vjetor të RTSH-së, që financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit.
Përballë kësaj situate, Eni Vasili ka deklaruar se nuk do të kërkojë fonde shtesë për vitin 2025 pa u kryer më parë një auditim i plotë i strukturës dhe projekteve të institucionit. Sipas saj, ky është hapi i parë për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike dhe për të rikthyer besimin e publikut ndaj televizionit shtetëror.
Vasili ka shtuar gjithashtu se një ndër faktorët kyç të krizës është niveli i ulët i të ardhurave të realizuara, në krahasim me pritshmëritë, duke reflektuar probleme të thella në menaxhim dhe mungesë transparence ndër vite.