Rrugë, porte dhe aeroporte, çfarë premton Edi Rama në mandatin e tretë

Gjatë prezantimit të programit qeverisës, Rama ka renditur disa nga projektet, që sipas tij, do të marrin formë në këtë mandat të ri 4-vjeçar.

Rama premtoi ndërtimin e katër porteve turistike dhe dy aeroporteve të reja ndërkombëtare, si dhe deklaroi se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, për t’i rikthyer atij shkëlqimin.

“Do kemi katër porte turistike, në Sarandë, Vlorë, Durrës e Shëngjin. Dy aeroporte të reja ndërkombëtare, në Vlorë brenda vitit ngrihet kantieri dhe në Sarandë, ku për pak javë mbyllet gara për kantierin. Do të vazhdojë rritja e kapaciteteve të aviacionit civil, me zgjerimin edhe të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku brenda vitit nis investimi për zgjatjen e pistës. Po ashtu, ky do të jetë mandati i kantierit të madh “Korridorit blu”, më i madhi deri më tani. Në harkun e 5 viteve do të kemi të realizuar një autostradë nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Miltotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës. Nuk do të presim më, do të fillojmë punën.

Përmbledhurazi, mund të them se në këtë mandat do të vendosim pikat mbi “i” në atë pjesë të akseve të mbetura ende të pazhvilluara, me parametrat e Shqipërisë 2030. Duam që Shqipëria të kthehet në ekspertuese neto të energjisë elektrike dhe në katër vitet e ardhshme do të hedhim hapa konkret. Skavica do të nisë punën. Ky 4-vjecar do të ketë edhe kantierin e HEC-it të Skavicës, që do të shërbejë dhe për t’i dhënë fund përfundimisht përmbytjeve në veri-perëndim të Shqipërisë. Do të ketë dhe kantierin e HEC Vlorë për hyrjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri.

Pas nisjes së punës për parkun me energji diellore të Karavastasë, do të ngrihet dhe parku me energji diellore në Spitallë. Këto do të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit. Po ashtu, po përgatitet futja në përdorim e energjisë së erës.

Sot jemi eksportuesit me të mëdhenj të perimeve në Ballkanin Perëndimor dhe zëmë vendin e dytë për eksportimin e frutave. Nuk do të ndalemi këtu. Do t’i çojmë eksportet bujqësore në 1 miliard USD. Kemi një plan konkret, që do fillojë të vihet frontalisht në veprim që në 300 ditët e para të mandatit të ri.

Dua të veçoj këtu transformimin e mëtejshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Do t’i kthejmë këtij universiteti shkëlqimin dhe nuk do të kursehemi për këtë.

Po ashtu duam të hapim një kapitull të ri në fushën e gjësë së gjallë. Deri tetë vite më parë gjëja e gjallë therej në rrugën ku kalonte makina dhe gjaku përplasej në xhamat e makinave. Kemi rritje të ndjeshme të konsumit, por kjo është një periudhë rikthimi, pas një periudhe tërheqje dramatike nga pandemia. Ne nuk duam që sidoqoftë ky ritëm të bjerë deri në fund të 4-vjecarit nën dyshemenë e 4% mesatare rritje ekonomike vjetore. Të dhënat janë të qëndrueshme.

Nuk na mjafton asnjë nga këto, pa shënuar një rritje të mëtejshme e të qëndrueshme në cilësinë e biznesit. Duhet t’i japim një shtysë të fortë sektorit të prodhimit made in albania. Për këtë kemi një garanci sovrane prej 50 milionë eurosh dhe një program special për rritjen e kapitalit njerëzor”, tha Rama./albeu.com

 


Shtuar 16.09.2021 11:17