Rruga e Turqisë për në BE është tashmë e mbyllur

Nga Francesco De Palo “Formiche.net”

Përktheu Alket Goce – AlbEu

E kam të vështirë ta besoj se Turqia do të ndalë kërcënimet ndaj Greqisë dhe Qipros apo të pezullojë bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën. Kështu shprehet Giorgios Tzogopoulos, pedagog në Institutin Evropian të Nisës dhe bashkëpunëtor në Qendrën Begin Sadat për Studime Strategjike.

Në këtë intervistë ai reflekton mbi lëvizjet e fundit të Erdogan në Vilnius, qasjes me liberale ndaj NATO-s dhe kërkesave që u ka bërë homologëve për integrimin në BE. Që të gjitha të diktuara nga vetëdija se Turqia beson në veçantinë e rrugës së saj në politikën e jashtme.

Turqi-NATO-Suedi: Çfarë dëshiron vërtet Erdogan?

Bisedat duken të jenë të dyanshme, midis Turqisë dhe Suedisë. Në fakt ato janë shumë më të gjera dhe pasqyrojnë interesin e presidentit Erdogan për të negociuar me Shtetet e Bashkuara për një sërë çështjesh, nga situata në Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, deri tek e ardhmja e ekonomisë turke dhe thellësia e bashkëpunimit turko-amerikan në mbrojtje.

Kjo nuk do të thotë se nuk është domethënëse përmbajtja e negociatave turko-suedeze, siç përcaktohet në memorandumin trepalësh të qershorit 2022 (bashkë me Finlandën).

Natyrisht, nëse Uashingtoni dhe Ankaraja bien dakord për një model të përgjithshëm bashkëpunimi, do të jetë e natyrshme që Stokholmi dhe Ankaraja të ndjekin këtë shembull. Dhe kjo është ajo që po ndodh aktualisht në Vilnius, ndonëse duhet të presim për rezultatet përfundimtare.

Pas lidhjeve të tij të forta me Rusinë, Kinën dhe Iranin, pse po kërkon tani anëtarësimin në BE?

Turqia beson në veçantësinë e politikës së saj të jashtme. Pra ajo synon të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të bashkëpunojë me Perëndimin dhe Lindjen sipas interesave të

saj strategjike. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga këto marifete, por ajo nuk ka domosdoshmërisht aftësinë për të ndikuar tek Turqia siç bëri gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Nga ana e saj, Ankaraja po kërkon mënyrat për të fuqizuar ekonominë e saj kombëtare, dhe po i sheh me shqetësim rreziqet nga shkëputja e saj e mëparshme nga Perëndimi. Prandaj Erdogan po përpiqet të riafrohet me SHBA-në dhe BE-në. Natyrisht, rruga për në BE është pothuajse plotësisht e mbyllur.

Referencat për anëtarësimin në BE, mund të shërbejnë vetëm për të kënaqur opinionin publik turk. Diskutimet e vazhdueshme midis Ankarasë dhe Brukselit, po fokusohen aktualisht në fushat ku mund të ekzistojë bashkëpunimi. Për shembull në modernizimin e bashkimit doganor, krijimin e stabilitetit në Mesdheun Lindor dhe menaxhimin e krizës së refugjatëve. Ata nuk krijojnë iluzione për anëtarësimin e Turqisë në BE.

A ka gjasa që ndërmjetësimi për luftën në Ukrainë të jetë i njëanshëm në favor të Moskës?

Ekzistojnë 2 lexime të ndryshme për këtë çështje. Disa thonë se Turqia rrezikon unitetin e NATO-s. Ndërsa të tjerë argumentojnë se pozicioni i balancuar i Turqisë krijon disa mundësi për të pasur një bashkëbisedues të Rusisë brenda Aleancës. Në analizën time, problemi për Perëndimin shkon përtej Turqisë.

Shumë vende të botës, duke përfshirë ata më të mëdhenjtë për nga popullsia, Kina dhe India, preferojnë gjithashtu të mos marrin anë në luftën që po ndodh në Ukrainë. Dhe kjo paraqet pengesa serioze për izolimin e Rusisë në sistemin ndërkombëtar dhe maksimizimin e efektivitetit të sanksioneve.

A përbën një rrezik gjeopolitik shitja e avionëve amerikanë F16 tek Turqia?

Për mendimin tim, pyetja nuk është nëse Turqia i merr apo jo avionët luftarakë F-16. Por

nëse Turqia vepron si një vend tipik dhe i besueshëm anëtar i NATO-s. Në rast se Shtetet e Bashkuara gjejnë një mënyrë për ta lidhur shitjen e luftëtarëve F-16 me përshtatjen e politikës së jashtme turke me prioritetet e NATO-s, atëherë kjo shitje ndoshta do të jetë e dobishme. Nëse SHBA-të nuk e bëjnë këtë, atëherë shitja e avionëve do të jetë problematike. Unë personalisht e kam të vështirë ta besoj se Turqinë do t`i ndalë kërcënimet ndaj Greqisë dhe Republikës së Qipros, apo të ndërpresë bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën.

Por Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithçka që është e mundur për ta penguar Ankaranë që të shkëputet plotësisht nga Perëndimi. Më pas, taktikat turke të pazareve do të japin rezultatet e tyre, dhe kjo do të krijojë një precedent të keq për praktikat diplomatike në Perëndim.

Nisma e Brezit dhe Rrugës (BRI) po e shndërron Turqinë në një port të madh kinez në Mesdhe. Sa ndikon e gjitha kjo në panoramën e përgjithshme?

Kina po zbaton një politikë të jashtme dhe ekonomike shumë inteligjente dhe të kujdesshme, dhe kjo është shumë e dukshme në Mesdhe. Turqia nuk është një vend anëtar i BE-së, dhe kjo do të thotë se kompanitë kineze e kanë shumë më të lehtë të investojnë atje.

Për shembull, në Turqi nuk do të ketë kurrë një debat të ngjashëm me dilemën me të cilën përballet Italia në lidhje me pjesëmarrjen e saj në BRI. Marrëdhëniet Kinë-Turqi janë të forta dhe kontributi i bankave dhe bizneseve kineze në ekonominë turke po evoluon me shpejtësi. Por unë mendoj se ne duhet të shohim panoramën e madhe, që ka të bëjë me praninë e përgjithshme të Kinës në Mesdhe. Kina po luan me kartën e ndërlidhjes. Turqia është një partnere e rëndësishme. Por nga pikëpamja kineze, ajo është një hallkë në zinxhirin e nismës BRI./albeu.com


Shtuar 13.07.2023 14:55