Autoriteti Rrugor Shqiptar, në një përditësim, ka ndarë detaje nga situata në rrugën e Thethit pas një mbylljeje të përkohshme për shkak të aktivizimit të ortekëve, që aktualisht është e hapur për qarkullim.
Si pasojë e reshjeve të dendura të borës, në një segment me gjatësi rreth 550 metra, është prezent rreziku i ortekëve nga lartësitë e shpateve. Ky rrezik shtohet gjatë orëve të mesditës me diell, kur fillon procesi i shkrirjes së borës.
Për këtë arsye, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, do të ketë mbyllje provizore të qarkullimit deri në orët kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.
Qarkullimi gjatë intervaleve me rrezik do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes, thekson ARRSH.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet në terren.
