Rruga e Arbrit që po “ha” dibranët: Katër të vdekur në katër ditë, kush mban përgjegjësi?

Katër të vdekur në katër ditë dhe katër të plagosur. Ky është bilanci i dy aksidenteve të rënda rrugore të ndodhura në Rrugën e Arbrit.

Yllson Tasha, 24-vjeç nuk arriti të festonte natën e ndërrimit të viteve me familjen e tij, pasi rreth orës 21:35, më 31 dhjetor u përplas me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe përfundoi 25 metra në humnerë. Përplasja ishte fatale dhe i riu humbi jetën në vend.

24-vjeçari ishte duke u kthyer nga Bulqiza dhe sapo kaloi rrethrrotullimin tek Ura e Çerenecit humbi kontrollin duke kapërcyer barrierat mbrojtëse dhe pas disa rrotullimesh mjeti “Fiat Panda” ra nga  25 m lartësi duke përfunduar në Zallin e Bulqizës.

Sot (4 janar) vetëm 4 ditë pasi Tasha humbi jetën, në të njëjtin aks u shënua një tjetër aksident i rëndë.

Kujtim dhe Murat Istrefi (vëllezër) dhe Kujtime Isftrefi humbën jetën si pasojë e  një aksidenti ku u përfshinë dy automjete.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në aksin rrugor Fushë Bulqizë- Shupenzë, në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”.

Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Albeu.com mëson se bëhet fjalë për Mërgim Lazrin 25 vjeç, Edison Lazrin 20 vjeç, Kadrie Markeçin dhe Firuze Istrefin 56 vjeç.

Rruga e papërfunduar e Arbrit është kthyer në një gangrenë për shoferët. Mungesa e sinjalistikës, cilësia e dobët e punimeve dhe mbrojtëset e rrugës jashtë standardeve po marrin jetë njerëzish.

Ndërtimi i rrugës 54 km që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare me kompaninë Gjoka Construction ka filluar në vitin 2018.

Projekti parashikon ndërtimin e një rrugë me dy korsi e cila kalon në një seri me 6 tunele dhe dy ura të larta.

Më 2 gusht 2021 Ministrja e Infrastukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku njoftoi shtyrjen me 17 muaj të afatit të punimeve për Rrugën e Arbrit, një projekt koncensionar që do tu kushtojë taksapaguesve rreth 40 miliard lekë ose 330 milion euro.

Sipas Ballukut shkak i shtyrjes së punimeve në Qafën e Murrizit janë bërë problemet gjeologjike. Ndërkohë punimet në rrugën e Arbrit po zhvillohen me ritme shumë të ngadalta.

E parashikuar për tu dorëzuar në prill të 2022, kontrata e Rrugës së Arbrit pritet tashmë të përfundojë në shtator të 2023. Por duke parë punimet në terren, urojmë të mos kemi një tjetër shtyrje./Albeu.com./


Shtuar 4.01.2023 20:14