Rruga e Arbrit që po “ha” dibranët, Balluku i vë fajin shoferëve: Segmentet plotësojnë standardet e sigurisë rrugore

Katër të vdekur u regjistruan në 4 ditët e para të vitit 2023 në Rrugën e Arbrit.

Ministrja e Energjisë dhe Insrastrukturës, Belinda Balluku i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve në një konferencë për mediet lidhur me hapjen e segmenteve në këtë aks rrugor ku po punohet akoma.

Pyetje: Pse e keni hapur segmentin pa përfunduar ende?

Balluku: Nuk ka lidhje aksidenti që ju i referoheni me pjesën ku punohet në Rrugën e Arbrit. Aksidenti ka ndodhur në zonën e Gjoricës, është një rrugë e përfunduar prej kohësh. Siç thashë është më mirë mos dalim në konkluzione për sa kohë ka një hetim të policisë, është identifikuar nga fillimi që automjetet kanë qenë me shpejtësi të lartë, nuk ka lidhje me Rrugën e Arbrit.

Hapja e segmenteve të përfunduara është një praktikë që ka ndodhur gjithmonë dhe nuk kemi pse i vëmë pikëpyetje asaj rruge. Ka zona të cilat janë të bllokuara dhe të gjitha segmentet e hapura plotësojnë kushtet e sigurisë rrugore. Nuk kemi asnjë plan të mbyllim Rrugën e Arbrit.

Yllson Tasha, 24-vjeç nuk arriti të festonte natën e ndërrimit të viteve me familjen e tij, pasi rreth orës 21:35, më 31 dhjetor u përplas me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe përfundoi 25 metra në humnerë. Përplasja ishte fatale dhe i riu humbi jetën në vend.

24-vjeçari ishte duke u kthyer nga Bulqiza dhe sapo kaloi rrethrrotullimin tek Ura e Çerenecit humbi kontrollin duke kapërcyer barrierat mbrojtëse dhe pas disa rrotullimesh mjeti “Fiat Panda” ra nga  25 m lartësi duke përfunduar në Zallin e Bulqizës.

Më 4 janar, vetëm 4 ditë pasi Tasha humbi jetën, në të njëjtin aks u shënua një tjetër aksident i rëndë.

Kujtim dhe Murat Istrefi (vëllezër) dhe Kujtime Isftrefi humbën jetën si pasojë e  një aksidenti ku u përfshinë dy automjete.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në aksin rrugor Fushë Bulqizë- Shupenzë, në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”.

Katër persona të tjerë kanë mbetën të plagosur.

Rruga e papërfunduar e Arbrit është kthyer në një gangrenë për shoferët. Mungesa e sinjalistikës, cilësia e dobët e punimeve dhe mbrojtëset e rrugës jashtë standardeve po marrin jetë njerëzish.

Ndërtimi i rrugës 54 km që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare me kompaninë Gjoka Construction ka filluar në vitin 2018.

Projekti parashikon ndërtimin e një rrugë me dy korsi e cila kalon në një seri me 6 tunele dhe dy ura të larta.

Më 2 gusht 2021 Ministrja e Infrastukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku njoftoi shtyrjen me 17 muaj të afatit të punimeve për Rrugën e Arbrit, një projekt koncensionar që do tu kushtojë taksapaguesve rreth 40 miliard lekë ose 330 milion euro.

Sipas Ballukut shkak i shtyrjes së punimeve në Qafën e Murrizit janë bërë problemet gjeologjike. Ndërkohë punimet në rrugën e Arbrit po zhvillohen me ritme shumë të ngadalta.

E parashikuar për tu dorëzuar në prill të 2022, kontrata e Rrugës së Arbrit pritet tashmë të përfundojë në shtator të 2023. Por duke parë punimet në terren, urojmë të mos kemi një tjetër shtyrje./Albeu.com./


Shtuar 9.01.2023 13:44