Rritni presionin mbi Rusinë tani, për ta shfrytëzuar për negociatat që do të zhvillohen më vonë

Nga Richard Cashman “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Fakti që ambiciet e Rusisë në Ukrainë duhet të përfundojnë me dështim, është pika fillestare e duhur për strategjinë që po ndiqet aktualisht nga partnerët e Ukrainës. Por ajo nuk parashikon domosdoshmërisht një pikë përfundimtare, ku Rusia e jep fund agresionit të saj, sidomos fushatës së saj të terrorizmit me raketa dhe aktet e piraterisë në Detin e Zi.

Shtimi i presionit në këtë moment ndaj Moskës, mund të krijojë më vonë kushte për diçka të tillë. Dërgimi në Ukrainë i mjeteve ushtarake të duhura për të çliruar territorin e saj dhe për ta paralizuar flotën ruse të Detit të Zi, është një element thelbësor për një zgjidhje të qëndrueshme në të ardhmen.

Elementi tjetër duhet të jetë perspektiva për një Rusi të mposhtur në nivelin strategjik, që më pas mund të përfitojë një lloj lehtësimi të pjesshëm nga kostot e paqëndrueshme ekonomike dhe izolimi politik për shkak të agresionit të saj të vazhdueshëm.

Megjithatë, lehtësimi i plotë mund të vijë vetëm në bazë të përgjegjësisë për krimet dhe dëmet e lidhura me pushtimin, duke filluar që nga viti 2014. Zbehja e thirrjeve për një rrugëdalje për udhëheqjen ruse, filloi pasi u kuptua se baza që nënkuptonte në përgjithësi ajo ­- lëshimet territoriale nga ana e Ukrainës – u braktis sepse do të rrezikonte qëndrueshmërinë e Ukrainës si shtet, dhe do të shpërblente dhe inkurajonte agresionin kundër shteteve të tjera evropiane, përfshirë anëtarët e NATO-s.

Megjithatë, bazat për një “rrugëdalje” mund të jenë të bollshme, dhe ruajtja e mundësisë së rrethanave të ardhshme të preferueshme nga rrethanat aktuale, është ajo që e plotëson strategjinë e partnerëve të Ukrainës. Më shumë se 45 shtete kanë vendosur tashmë sanksione kundër subjekteve dhe individëve rusë.

Ka pasur disa dyshime për ndikimin e tyre në ekonominë ruse, dhe për qëndrimet e elitës ruse e të popullsisë ruse në përgjithësi. Kjo ka të bëjë me dështimin e tyre të dukshëm për të ndryshuar synimet themelore të udhëheqjes së Kremlinit, për të kufizuar aftësitë e tij ushtarake, dhe ta detyruar elitën dhe popullin të kundërshtojnë udhëheqjen e Kremlinit.

Historia ruse ka treguar se humbja ushtarake është nxitësja e ndryshimeve politike. Ngjarjet e fundit mund t’i bëjnë ushtarët rusë të vendosin se është më mirë të dorëzohen sesa të vdesin në një luftë të kotë. Ky vlerësim, mbështetet pjesërisht tek pritshmëritë jorealiste mbi atë që mund të arrijnë sanksionet në një periudhë të caktuar, dhe pjesërisht nga mungesa e informacionit të besueshëm nga brenda Rusisë.

Po ashtu ajo e nënvlerëson efektin e tyre kumulativ. Synimi gjatë vendosjes së sanksioneve nuk ishte të rrënonin ekonominë ruse, por ta kufizonin atë dhe potencialin e saj luftarak. Për të ruajtur prodhimin e armëve, Rusia është detyruar të kthehet në një ekonomi të komanduar, duke braktisur shumë nga objektivat e saj themelore të zhvillimit.

Shkalla e dëmit është e paqartë, sepse të tilla janë edhe raportimet financiare të Rusisë.

Thënë këtë, duke bërë sakrifica të konsiderueshme, Moska ka mundur të rrisë prodhimin e kategorive të rëndësishme të armëve, veçanërisht disa lloje raketash, mbetjet e të cilave tregojnë data të kohëve të fundit të prodhimit të tyre.

Në kontekstin e partnerëve të Ukrainës që e pengojnë Kievin të përdorë armët e ofruara prej tyre për të goditur burimet e terrorizmit raketor të Rusisë, duhet bërë më shumë. Vendet partnere kanë ende aftësi të mëdha për të ushtruar presion.

Ky i fundit mund të përdoret për vazhdimin e reduktimit të të ardhurave të Kremlinit dhe krijimin e dilemave mbi mënyrën se si ai zgjedh t’i shpenzojë ato, duke e kufizuar më tej aftësinë e tij për të prodhuar armë, dhe duke e bërë gjithnjë e më të patolerueshme status quo-në e përfaqësuar nga udhëheqja e Kremlinit, si për elitat ruse ashtu edhe për popullatën në përgjithësi.

Bashkimi Evropian ka rënë dakord së fundmi për një raund të 11-të të sanksioneve kundër Rusisë. Numri i raundeve është i parëndësishëm; por mund të ketë shumë më tepër. Dhe kuptimi i efekteve të tyre kundër një ekonomie të madhe dhe të pasur me para është në vetvete i vlefshëm.

Dokumentet e Grupit Ndërkombëtar të Punës Yermak-McFaul mbi Sanksionet Ruse përmbajnë shumë sugjerime. Disa fokusohen në forcimin e sanksioneve ekzistuese, si qasja tek komponentët e prodhuar nga koalicioni perëndimor, ndërsa të tjerët shkojnë dukshëm më tej.

Për shembull, duke ndalur të gjitha eksportet në Rusi nga vendet e koalicionit. Të tjerët fokusohen në mohimin e qasjes së mbetur për elitat ruse, zyrtarët qeveritarë dhe familjeve e tyre në vendet partnere dhe tek shërbimet e tyre financiare dhe ligjore.

Përtej këtyre sugjerimeve, mund të bëhet akoma më shumë për të mbyllur të çarat e sanksioneve, për të zhdukur përjashtimet dhe për të shënjestruar një pjesë shumë më të madhe të bazës së prodhimit industrial të Rusisë.

Tërheqja e menjëhershme e Rusisë nga Traktati i Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë, i hap rrugën mbushjes së Bjellorusisë dhe Kaliningradit me armë me rreze të gjatë, duke shfrytëzuar kësisoj pozicionin e saj negociues në Evropë.

Por së pari, ajo duhet të plotësojë rezervat e saj të varfëruara shumë. Ndaj ndalja e procesit të prodhimit dhe vendosjes, është gjithashtu në interes të partnerëve të Ukrainës. Ushtrimi i një presioni shtesë, mund të përfshijë gjithashtu kalimin nga shtrëngimi tek tronditja e ekonomisë ruse, sidomos e sistemit të saj bankar dhe në një mënyrë të kalibruar me synim, imponimin e kostove të identifikueshme për sulmet me raketa kundër qyteteve të Ukrainës.

Masa të tilla duhet të mbajnë parasysh faktin se udhëheqja e Kremlinit, vlerëson më së shumti mbijetesën e saj dhe ka frikë nga rusët më të pakënaqur, si elitat ashtu edhe publiku i gjerë.

Është e diskutueshme se për sa kohë elitat do të mbeten të kënaqura, nëse qasja e tyre në vendet partnere të Ukrainës do të ndërpritet në një mënyrë kuptimplote dhe për një kohë të pacaktuar. Dhe megjithëse popullsia e gjerë ruse ka treguar pak interes për të dalë në rrugë për parimet, ajo mund ta bëjë këtë për nevoja e veta materiale.

Kundërmasat shtetërore në proporcion me krimet e Rusisë dhe dëmi i madh që shkaktojnë janë gjithashtu të përshtatshme, dhe do të nënkuptonin kalimin nga regjimet e ngrirjes së aseteve tek mekanizmat e konfiskimit të tyre.

Të gjitha masat duhet të shoqërohen me përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur vendet “neutrale” për vlerat e mëdha të kauzës fisnike të Ukrainës, dhe për të nxitur mbështetjen e tyre për zbatimin dhe jo për të sabotuar regjimin e sanksioneve perëndimore.

Dhe kjo ka të bëjë veçanërisht me vendet fqinje me Rusinë. Kjo qasje e re mund të përfshijë rritjen e ndihmës për zhvillim, ndërsa lehtësohen kriteret për marrjen e saj, rikapitalizimin e fondeve nga Banka Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtare por edhe punën për ta bindur Kinën se një Rusi e dobësuar është në fakt edhe në interesin e saj.

Pasja e këtyre levave shtesë në kontekstin e negociatave të ardhshme, është e preferueshme edhe për shkak të sugjerimit të fundit të presidentit francez Emanuel Macron për t’i ofruar Vladimir Putinit mundësinë e lehtësimit të pozitës në raport me ndjekjen penale për krimet e luftës në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, gjë që as duhej propozuar.

Ashtu siç u mor një vendim në fillim të këtij viti për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, tani ka ardhur koha të shtojmë presionin ekonomik, politik dhe diplomatik ndaj Rusisë.

Shënim:Richard Cashman, bashkëpunëtor në Qendrën për Strategjitë e Mbrojtjes, një institut kërkimor për strategjitë e sigurisë në Ukrainë.

/albeu.com


Shtuar 4.07.2023 16:39