Në vitin 2025, nuk do të ketë vetëm një indeksim të pensioneve, si ai i zakonshmi në muajin tetor, por më shumë para në xhepat e pensionistëve do të futen që në muajin prill.
Qeveria parashikon të indeksojë pensionet në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025, duke i dedikuar nga buxheti i shtetit një vlerë prej 50 milionë eurosh.
Lajmin e konfirmon Ministria e Ekonomisë, e cila thotë se pensionet mbi 790 mijë të moshuar do të rriten në bazë të ecurisë së inflacionit në prill.
Formula e indeksimit të pensioneve ndryshoi në pranverën e 2023-shit, kur në prag të zgjedhjeve vendore qeveria e transferoi për në tetor.
Por ajo ju dha pensionistëve një bonus, nga mbledhja e taksës nga kompanitë e mëdha energjetike. Për të rritur masën e pensionit, qeveria ka në plan marrjen e masave për deklarimin e plotë të pagave nga bizneset me qëllim rritjen e sasisë së parave nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Nga turi i takimeve me pensionistët në të gjithë Shqipërinë, kryeministri Rama ngriti akuza ndaj Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilit, ky institucion mbulon dosje ulëritëse të evazionit fiskal ndaj bizneseve.
“Keni dëgjuar ndonjëherë që një sipërmarrës të merret i pandehur për evazion? Mendoni ju se administrata nuk i ka identifikuar disa prej tyre? I ka identifikuar dhe ia ka referuar edhe Prokurorisë së Tiranës, por janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal, të cilët e kanë Prokurorinë në xhep sepse unë nuk gjej asnjë shpjegim tjetër.
Ligji e ruan rendin, por nëse ligji nuk vepron për këtë kategori si për të gjithë të tjerët, ne kemi një problem të madh. Prandaj është jo e lehtë, por ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Për këtë, ne do të bëjmë digjitalizimin e transaksioneve, si dhe një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale”.
Qeveria në bashkëpunim me FMN dhe Bankën Botërore po punon për ndërtimin e një skeme të re pensionesh me qëllim rritjen e masës së pensionit sidomos për ata që përfitojnë më pak.