Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar në “Facebook”, në lidhje me rritjen e çmimit e biletës së transportit publik nga bashkia Kamëz, nga 40 në 50 lekë.
Ajo u shpreh se qytetarët detyrohen të presin me orë të tëra në radhë për të marrë abone mujore, që u jep akses në një shërbim pa cilësi.
Xhixho shtoi se kjo është panorama më e qartë e një qeverisjeje që ka braktisur qytetarin, të cilin e ngarkon me kosto e taksa, por nuk i jep mbrapsht asnjë shërbim.
Reagimi:
Të detyruar të presin me orë të tëra në radhë, pasi Bashkia Kamëz rriti çmimin e biletës së transportit publik. Nga 40 lekë që ishte, qytetarët e Kamzës duhet të paguajnë tashmë 50 lekë për biletën e autobusit.
Qindra qytetarë detyrohen të presin në radhë për abone mujore, që u jep atyre akses në një shërbim pa cilësi: mjete pa standarde, orë të tëra në trafik dhe vonesa të përditshme.
Të moshuar që rrinë me orë në radhë, për të kursyer pak nga pensionet e pamjaftueshme; nxënës e studentë që u duhet të lehësojnë sadopak kostot e transportit që duhej ta kishin falas.
Kjo është panorama më e qartë e një qeverisjeje që ka braktisur qytetarin, të cilin e ngarkon me kosto e taksa, por nuk i jep mbrapsht asnjë shërbim.
