Rritet me 4.7% tregtia me pakicë në tremujorin e parë, udhëhiqet nga karburantet, por importet u rritën më pak se 1%

Tregtia me pakicë ka shënuar tendencë rritëse në tre muajt e parë të vitit, e ndikuar nga shitjet e karburanteve dhe ushqimeve.

INSTAT raportoi se Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur mbi Indeksin e shitjeve në vlerë ti deflatuar, arriti 113,9 në tremujorin e parë 2023.

Ky indeks shënoi një rritje prej 4,7%, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Të përshtatura sezonalisht shitjet në volum janë rritur 0,9%, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në ndryshimin vjetor prej +4,7%, në tremujorin e parë 2023 ndaj tremujorit të parë 2022, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:

Grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar me +1,9 pikë përqindje. “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +1,5 pikë përqindje dhe grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” me +1,3 pikë përqindje.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se ndonëse shitjet e karburanteve dhanë ndikimin kryesor në gjallërimin e tregtisë me pakicë, importet e karburanteve për tremujorin e parë ishin 128 mijë ton, me një rritje prej vetëm 0.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa sipas të dhënave të tregtisë me pakicë të INSTAT, në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 5,0%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Edhe gjatë vitit të kaluar, kur të dhënat e doganave treguan për një rënie të importeve të karburanteve në sasi, INSTAT raportoi për rritje të konsumit në volum të karburanteve.

Rriten edhe shitjet e ushqimeve

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2023 është rritur me 4,4%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2022.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 3,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 5,1%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i përshtatur sezonalisht

Në tremujorin parë 2023, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 0,8%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, ka pësuar rënie me 0,3%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 1,6%, kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 1,9%, kundrejt tremujorit të katërt 2022. /MONITOR


Shtuar 15.06.2023 17:28