Mbulimi i kredisë bankare me kolateral u rrit më tej vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2024, 76% e kredisë ishte e mbuluar me kolateral, nga 75% e saj një vit më parë.
Lloji më i përdorur i kolateralit nga bankat vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Pronat mbulojnë 61% të kredisë së kolateralizuar dhe 46% të tepricës totale të kredisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 9% në krahasim me një vit më parë, si rezultat i rritjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme rezidenciale.
Shkalla e lartë e garantimit të kredive me kolateral në pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave. Një rënie e mundshme e çmimeve të pronave do të krijonte rreziqe të shtuara për shëndetin e sektorit bankar në vend.
Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë po mbledh të dhëna më të detajuara që prej vitit të kaluar, mbështetur në rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi huadhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”. Ajo ka si qëllim të përmirësojë të dhënat që do të mblidhen nga bankat për ekspozimin e tyre në tregun e pasurive të paluajtshme.
Dy ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi. Sipas vendimit, raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërkohë, për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë vitin e kaluar një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar. Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në qershor, në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershor 2025) dhe u rrit në dhjetor në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025).
Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se po ndodh një rritje me ritme tepër të shpejta.