Vjeshta ka shtuar virozat në qarkullim. Problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe ato të traktit tretës kanë bërë që shumë fëmijë të kenë nevojë për ndihmën e mjekëve në Pediatrinë Infektive në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Koronavirusi sipas shefes së shërbimit Gjeorgjina Kuli po shfaq komplikacione tek foshnjat në muajt e parë të jetës.
“Kemi shtim të numrit të virozave respiratore tek fëmijët, ende vazhdojnë ato gastrointensinale dhe më pak apo më shumë me javë të ndryshme kemi edhe raste me Covid që vazhdojnë të shkaktojnë komplikacione sidomos respiratore pra të frymëmarrjes tek fëmijët për të cilat detyrohemi t’i hospitalizojmë. Simptomatologjia është e njëjtë dhe nëse nuk bën ekzaminimin përkatës mund të mendosh një virozë të thjeshtë dhe të jetë një Covid apo anasjelltas.”
Vetëm javën e fundit 7 fëmijë u shtruan në Pediatrinë Infektive. Temperatura e lartë dhe e vështirë për ta dominuar dhe pamundësia për të marrë frymë ka zgjatur kohën e qendrimit të pacientëve të vegjël në spital deri në dy javë.
“Aktualisht kemi 7 raste të shtruara dhe po mbajmë në aktivitet një pavion të caktuar me shtretër për fëmijët që mund të vijnë edhe gjatë fundjavës. Veçanërisht janë të shtruar 6 muajt e parë të jetës. Kjo është një shenjë që tregon se pavarësisht se nënat shumica e kanë kaluar Covidin nuk kanë antikorpe të mjaftueshme për tu transmetuar fëmijëve për t’i mbrojtuar nga infeksionet e gjashtë muajve të parë të jetës. Ndoshta ky është një stimul apo një konkluzion që të rishihet vaksinimi i nënave shtatzanë ndaj këtij infeksioni. Fatmirësisht kohët e fundit nuk kemi pasur raste të rënda për tu shtruar në terapinë intensive, por në varësinë e prekjes së mushkërive apo organeve të tjera mund të qëndrojnë 10 ditë deri në dy javë. Për shembull një bronkopneumoni me pamjaftueshmëri të frymëmarrjes tek bebet e vogla që kërkon ndihmesë me oksigjen minimalisht qëndron 10 ditë në spital.”
Mjekja thotë se në qarkullim përveç nënvarianteve të “Omicron” janë dhe virozat stinore dhe i bën thirrje prindërve të mos i lënë fëmijët në mjedise të mbyllura dhe të mos i dërgojnë në çerdhe, kopshte apo shkolla të sëmurë.