Policia e Sarandës ka bllokuar një skaf si dhe ka gjobitur drejtuesin e saj me 100 mijë lekë pasi shkeli perimetrin e sigurisë gjatë lundrimit duke u kthyer në rrezik për pushuesit në plazhin e Borshit.
Sipas raportimeve, aksioni i policisë ndodhi pas denoncimeve në rrjete sociale me anë të pamjeve filmike se një mjet lundrues ka shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët duke rrezikuar jetën e tyre.
“Shërbimet e Policisë Kufitare pas lokalizimit dhe bllokimit të mjetit lundrues që shfaqej në pamjet e publikuara, kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij mjeti, A. Ll., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020”, njoftoi policia vendore.
Policia Kufitare apeloi për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.