Rrezik global për shëndetin e fëmijëve, vaksinat e fëmijërisë në rënie alarmante

Një krizë e re po shfaqet në heshtje: gjithnjë e më pak fëmijë po marrin vaksinat bazë që dikur konsideroheshin një standard i padiskutueshëm i kujdesit shëndetësor.

Një raport i fundit nga revista shkencore The Lancet tregon se miliona fëmijë, sidomos në Afrikë dhe Azi, kanë mbetur pa asnjë vaksinë deri në vitin 2023. Pandemia e Covid-19, keqinformimi dhe mungesa e fondeve janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë prapambetje.

Vetëm në dekadat e fundit, vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë. Por tani, vendet që dikur ishin shembull suksesi, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe disa vende të BE-së, po përballen me rënie të ndjeshme të normave të vaksinimit.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse kjo prirje nuk ndalet, rrezikojmë të përballemi sërish me shpërthime të sëmundjeve të harruara si fruthi, difteria apo poliomeliti.

“Vaksinat kanë qenë një nga historitë më të mëdha të suksesit në shëndetësi. Por po i lëmë pas dore pikërisht tani kur na duhen më shumë,” – thotë një nga autorët e studimit.


Shtuar 25.06.2025 11:27