Rreth 70% e të punësuarve, paga më të ulëta se mesatarja

Së paku 5 sektorë kryesore të ekonomisë, ofruan pagë më të ulët se mesatarja në 3-mujorin e tretë të vitit 2024, duke sinjalizuar se as rritja ekonomike, as mungesa e punonjësve nuk po shtyn për lart pagat zyrtare në sektorët që kanë mungesë produktiviteti dhe ofrojnë punë për shumicën e të punësuarve.

Sipas të dhënave të INSTAT sektorët e bujqësisë, ndërtimit, tregtisë, transportit, aktivitetet e akomodimit, shërbimit ushqimor, industrisë dhe aktivitet të argëtimit kishin paga më të ulëta se niveli mesatar prej 77,6 mijë lekësh në tremujorin e tretë.

Në anën tjetër, punonjësit në katër sektorë të tjerë, ku përfshihen aktivitetet e pasurive të paluajtshme, administrata publike, informacioni dhe komunikimi dhe aktivitet financiare kishin paga më të larta se mesatarja kombëtare.

Punonjësit e bujqësisë pozicionohen me keq. Pagat ndaj tyre ishin sa 65.6 % e pagës mesatare, të ndjekur nga sektori i ndërtimit me pagë mesatare mujore sa 78% e pagës mesatare. Të dy këto sektorë karakterizohen nga një nivel i lartë i informalitetit.

Në aktivitetet e tregtisë dhe shërbimeve me gjithë zhvillimet pozitive në turizëm, paga mesatare arriti 78.6% të pagës mesatare në tremujorin e tretë, ndërsa në sektorin e industrisë pagat ishin rreth 16 për qind më pak se mesatarja kombëtare.

 

Në krahun tjetër punonjësit në aktivitetet financiare, kishin pagë 78% më të lartë se mesatarja kombëtare, të ndjekur nga punonjësit e teknologjisë dhe komunikimit, paga e të cilëve ishte 47 % më e lartë se mesatarja.

Në administratën publike paga rezultoi 25 për qind më e lartë se mesatarja, duke thelluar diferencën si rrjedhojë e rritjes 20 për qind që bëri qeveria në korrik për disa kategori të arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes. Një vit më parë në 3-mujorin e tretë paga e administratës publike ishte 18 për qind më e lartë se paga mesatare.

Politika e pagave në administratën publike, me një plan rritje me shumë se inflacioni në tre vitet, e fundit ka rritur hendekun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Të dhënat nga pagat zyrtare tregojnë se së paku 70 për qind e të punësuarve të deklaruar me pagë zyrtare kanë marrin pagesa më të ulëta se paga mesatare në rang vendi.

Ekonomia shqiptare vuan nga nivel i lartë informalitetit në tregun e punës dhe për rrjedhojë edhe në nivelin e pagave.

Sipas INSTAT, punësimi informal ishte afërsisht 29% vitin e kaluar, teksa anketa të tjera tregojnë se ende një pjesë e konsiderueshme e punonjësve marrin paga më shumë se sa deklarojnë në tatime./Monitor

 


Shtuar 11.12.2024 10:39