Rreth 200 shtetas të Maqedonisë së Veriut në Izrael, Kovaçevski: Jemi në kontakt me vendet fqinjë

“Autoritetet vendore kanë kontaktuar 100 shtetas tanë që ndodhen aktualisht në Izrael dhe ata janë lokalizuar. Shtetasit tanë thonë se ndjehen të pasigurt”. Këtë e njoftoi shtabi i Krizës i Ministrisë së Punëve të Jashtme në  Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se numri ndoshta është më i madh pasi ka të dhëna për studentë dhe punëtorë ndërtimorë që ende janë në këtë vend. Kryeministri shtoi se po punohet për nxjerrjen nga Izraeli të shtetasve të regjistruar në ambasadë.

Megjithatë, kjo mund të ndodh vetëm me ndihmën e fqinjëve. Ndërkohë shteti për ata që duan të kthehen ndihmon me transportin edhe me linjat komerciale.

“Kabineti im kontakton vendet tona fqinje dhe vendet e tjera partnere që kanë linja ajrore që mund të aterojnë në aeroporte ose në Izrael ku munden ose në vendet përreth”, tha Dimitar Kovaçevski.

Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë se Veriut informojnë se gjithsej 20 shtetas tanë e kanë lëshuar Izraelin. Nëntë turistë nga Velesi që zbarkuan në aeroportin e Tiranës janë kthyer tashmë në shtëpi.

Ata ishin pjesë e fluturimit special të “Air Albania”, të organizuar nga autoritetet shqiptare për evakuimin e shtetasve të saj. Paraprakisht shtatë shtetas të Maqedonisë nga Betlehemi janë transportuar në Jordani, prej nga pritet të kthehen në vend.

Për qytetarët e mbetur të Maqedonisë, kryeministri garanton se punohet për kthimin e tyre të suksesshëm. Në këtë drejtim në Ministrinë e Punëve të Jashtme është ngritur Shtabi i Krizës. Sipas të dhënave në Izrael ndodhen rreth 200 shtetas tanë./ Alsat.mk