Rrëshqitje dheu në aksin Gjirokastër-Tepelenë, qarkullimi me një sens te “Shkalla e Zezë”

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, ka njoftuar se për shkak të kushteve të rënduara atmosferike me reshje të dendura shiu, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, ka ndodhur rrëshqitje e një masivi dheu dhe gurësh.

Si pasojë, qarkullimi i mjeteve në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, po zhvillohet vetëm me një sens lëvizjeje.

Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

Ndërkohë, është rritur prezenca e shërbimeve policore në të gjitha akset e qarkut, me punonjës me uniformë dhe automjete të pajisura me fenelina, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje.


Shtuar 7.01.2026 15:34