Rrëshqitja masive e dheut me dy viktima në Gramsh, arrestohet një person për shkelje të rregullave në punë

Policia e Gramshit, ka arrestuar një person si përgjegjës për rrëshqitjen e një masivi dheu në fshatin Holta, ku humbën jetën dy persona.

45-vjeçari i arrestuar, banues në Tiranë, akuzohet për veprën “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh në vijim të veprimeve hetimore e procedurale për ngjarjen e ndodhur dje, në fshatin Holta, Gramsh, arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, në fshatin Holta, gjatë punës në firmën e ndërtimit të shtetasit E. D., kanë humbur jetën shtetasit E. Ll., 32-vjeç dhe A. B., 22-vjeç”, njofton policia.