Pesë persona janë arrestuar (tre italianë të moshës 20 dhe 23 vjeç dhe dy shqiptarë të moshës 20 dhe 22 vjeç) të cilët kishin kryer një rrëmbim me qëllim zhvatje dhe një grabitje kundër një 17-vjeçari mes Cassano d’Adda dhe Vaprio d’Adda, në zonën e Milanos.
Ndaj tyre ishte caktuar masa e ndalimit nga Prokuroria e Milanos dhe katër prej tyre tashmë ishin arrestuar, ndërsa i dyshuari i fundit u arrestua në Tiranë, shkruan Ansa.
Pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.
Arrestimet e para u bënë më 14 gusht, të kryera nga policia pas denoncimit të një 17-vjeçari të shënjestruar nga të pestë personat.
Ata e kishin kërcënuar dhe grabitur më 9 gusht në një pijetore. Dy ditë më vonë, pranë një picerie në Vaprio d’Adda grupi kishte rrethuar edhe një herë djalin, i cili ndodhej në shoqërinë e një miku të tij dhe pasi e kishin kërcënuar, e kishin futur me forcë në një makinë, duke e urdhëruar t’u jepte edhe 1000 euro të tjera.
Më pas e liruan. Hetimet, me dëshmitë dhe analizat e videove nga sistemet e vëzhgimit në zonë çuan në arrestimin e të pestëve: tre italianë u ndaluan menjëherë dhe u dërguan në burg, ndërsa një i dyshuar i katërt, një shqiptar, u vetëdorëzua në Monzaa disa ditë më vonë. Tani është arrestuar edhe i fundit./Albeu.com