Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ Vijon gjyqi në Apelin e GJKKO për Festim Bexhdilin, gjykata rrëzon kërkesat e avokatit

Këtë të mërkurë, në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, po vijon procesi gjyqësor ndaj Festim Bexhdilit, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Bexhdili ishte dënuar më herët me burgim të përjetshëm, por vendimi u prish nga Gjykata e Lartë, e cila e riktheu çështjen për rigjykim.

Gjatë seancës, avokati i tij, Ilir Murati, kërkoi pyetjen e bashkë të pandehurve Aldo Majnishta dhe Dritan Rexhepi, si dhe thirrjen e një eksperti IT për të interpretuar pamjet filmike të sekuestruara.

Ai këmbënguli gjithashtu për pyetjen e një dëshmitareje të identifikuar si Enxhi, e cila ka lidhje shoqërore me të pandehurin.

Sipas SPAK, Bexhdili ka qenë përdorues i një telefoni të enkriptuar të llojit EncroChat, për të cilin pretendohet se ka qenë aktiv gjatë kohës së rrëmbimit.

Megjithatë, avokati Murati tha se komunikimet e zbërthyera në SKY ECC nuk përfshijnë lidhje mes Bexhdilit dhe të dyshuarve kryesorë, përfshirë Altin Hajrin dhe Gentian Docin.

Ai theksoi se komunikimet janë me Dritan Funiqin, i cili thuhet se ka urdhëruar Bexhdilin të “mbyllë gojën”.

Prokurorja Elida Kaçkini, deklaroi se dy celularë janë sekuestruar në momentin e arrestimit të Bexhdilit, njëri prej të cilëve ende i pa zbërthyer.

Ajo theksoi se dëshmia e Enxhit konfirmon përdorimin e telefonit të enkriptuar, duke shtuar se Bexhdili është pjesë aktive e grupit kriminal dhe jo një rastësor në vendngjarje.

Gjykata rrëzoi kërkesat e mbrojtjes për marrjen në pyetje të dëshmitares Enxhi, si dhe për caktimin e një eksperti IT.

Pavarësisht kësaj, avokati i të pandehurit kërkoi sërish vënien në dispozicion të pamjeve filmike për analizë të mëtejshme.

Procesi vijon, ndërsa SPAK thekson se provat e mbledhura e përfshijnë Bexhdilin në skemën kriminale që çoi në zhdukjen e Jan Prengës.


Shtuar 28.05.2025 10:56