Në mënyrë identike sikurse akuzohet nga SPAK për manipulimin e tenderit të tunelit të Llogarasë, ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku duket se ka vepruar edhe për atë të aeroportit të Vlorës.
Një rrëfimi i gjatë i biznesmenit milliarder Behgjet Pacolli ka hedhur më shumë dritë për mënyrën se si bëhen “garat” e koncesioneve të mëdha në Shqipëri, ku personat dhe kompanitë paracaktohen paraprakisht.
Pacolli ka rrëfyer për Fevziun, në Opinion, se kur ai vendosi të konkurronte për aeroportin e Vlorës, e mori në telefon një i njohuri i tij, pronari i kompanisë turke YDA Group që e njoftoi se bashkë me të do të futej edhe ai. “Ai më tha se e kishin njoftuar nga presidenca turke se duhej të merrin pjesë në këtë garë”, tregoi Pacolli.
Ashtu sikurse dihet YDA Group, u fut në tendër vetëm për të plotësuar kriterin e një firme që kishte eksperiencë në punime të tilla që ishte një kusht për të marrë pjesë në konkurim. Por sapo puna u krye turqit u larguan duke arkëtuar sipas Pacollit 3 milionë euro vetëm se kishin dhënë letrat.
Me sa duket ministrja Balluku kishte një marëveshje sekrete me ta sepse kur përfaqësuesi i YDA dhe Pacolli shkuan për takim në zyrën e saj, ajo as i adresoi fjalën biznesmenit kosovar. Ajo foli vetëm me turkun dhe e detyroi Pacollin të largohej nga takimi e të dilte jashtë. Pse i takoi Balluku fituesit para garës? Ç’kishte per ti thëne ajo palës turke?
Këto insinuata nuk përbëjnë të vetmin dyshim. Njësoj si në tenderin e tunelit të Llogarasë aty përmendet emri i Erdoganit. Te tuneli, Balluku ka transferuar një mesazh, të kapur më pad nga SPAK, ku kompania turke Interkar ASL pretendon se është “e perferuruara e presidentit”. Në të dyja rastet turqit futen në tender vetërm formalisht pa bërë asnjë punë. Në të dyja rastet ata largohen me miliona të pamerituara që “nuk dihet” pse i kanë përfituar.
Pra ngjashmëritë janë shumë të forta. Ndonëse, në intervistën për Fevziun Pacolli e mohoi të ketë dhënë ryshfet dhe hodhi poshtë aludimet e bëra se ikja e turqve lidhej me ndonjë skemë korruptive. “As Rama as Balluku nuk është marrë me %-t e aksioneve….Edi Rama nuk më ka pyetur kurrë për aksionet, e vetmja gjë që më ka kërkuar ishte nëse aeroporti mund të inagurohej para zgjedhjeve” tregoi ai, duke shtuar se ky afat qe i pamundur të arrihej.
Por Behgjet Pacolli as nuk u pyet, as nuk u përgjigj, vetëm për një gjë. Si është e mundur që ai bashke më turqit e YDA Group u bënë fitues të një “gare” të manipuluar e cila gjithashtu ka përfunduar në SPAK me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera” njësoj si për tunelin e Llogarasë.
Në tenderin e shpallur në fund të 2020-ës ka pasur një varg shkeljesh. Fillimisht ishte kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli. Që fituesit të ishin ata që u paracaktuan, katër ditë para garës, kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat përfunduan në një.
Për më tepër kompania tjetër konkurente, britanikja AL-DE, ndonëse me kushte shumë më të favorshme për interesin publik, u skualifikua nga gara me justifikimin banal se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Britanikët e AL-DE Corporation LTD e denoncuan garën e paregullt dhe për këtë çështje SPAK ka njoftuar se ka hapur hetim, për shpërdorim detyre, favorizim të palëve të caktuara dhe shkelje të pabarazisë në tendera.
Por nuk përfundon këtu. Pas marrjes së tenderit fiktiv kompania fituese kishte tre aksionerë: Mabco Construction e Pacollit me 58 për qind, YDA Group, e turqve që kishin ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit me 40 për qind dhe 2A Group e Valon Ademit me 2 për qind.
YDA Group, siç u tha, ishte përfshirë në koncesion për shkak të përvojës së saj për ndërtimin e aeroportit, pa të cilën nuk mund të justifikohej përmbushja e kritereve të garës. Prandaj ajo u “shpërblye” me 40 për qind të aksioneve.
Po ç’ndodhi? Ndonëse u shpallën fitues, turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë pas përfundimit të procesit duke paguar një shumë qesharake, 4200 euro për 40%-shin e tyre. Në fakt, sipas rrëfimit të fundit të Pacollit ata u larguan me 3 milionë euro ndërkohë që kishin kërkuar 5 milionë.
Që këtu autoritetet shtetërore duhet të ndiznin sinjalin e kuq të alarmit sepse ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat detyron që përpara ndryshimit të çdo aksioneri në kontratat koncesionare, duhet marrë fillimisht miratimi i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave. A e bënë këtë gjë? Natyrisht që jo. A dëshmon kjo se ishin palë në organizimin e një gare fiktive me një kompani turke të futur vetëm për letra? Natyrisht që po. Këtë e vërteton fakti se shitja e 40% të aksioneve që kaluan nga turqit tek Pacolli, në dhjetor të vitit 2022 (pikerisht ato aksione për të cilat po bëhet sherri i sotëm), është miratuar nga titullari i Autoritetit Kontraktor, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrja e Financave!/ Lapsi.al
