Ka nisur seanca gjyqësore për rastin e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar. Seanca është e mbyllur për mediat.
Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut.
Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës. 18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.
Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit. Për këtë raportim, Inspektorati Policor i Kosovës kishte iniciuar hetim.