Roskovec/ Miratohet mes debatesh të ashpra në Këshillin Bashkiak ndërtimi i Termocentralit në Suk 1

Edhe pse u kundërshtua nga banorë të zonës dhe këshilltarë të majtë e të djathtë, bashkia Roskovec duket e vendosur për t’i thënë “po” ndërtimit të Tërmocentralit në zonën bujqësore të Suk 1.

Në mbledhjen e sotme jashtë radhe të këshillit bashkiak, është miratuar mes debatesh të ashpra, ky investim i kundërshtuar fuqishëm nga fermerë të disa fshatrave të Roskovecit e Dimalit, të cilët u ngritën në një protestë ditën e diel.

Ata e kanë cilësuar njëzëri vdekjeprurës ndërtimin e këtij termocentrali në zonën e tyre, duke theksuar se prania e tij do të shkatërrojë një sipërfaqe bujqësore prej 700 hektarë me serra.

Në mbledhjen e mëparshme të këshillit bashkiak, ky projekt ka ngjallur debate të shumta dhe është rrëzuar me shumicë kartonash nga këshilltarë të majtë e të djathtë.

Në mbështetje të banorëve, ditën e sotme protestës i janë bashkuar edhe përfaqësuesit e shoqatave ambientaliste të cilët e kanë cilësuar këtë investim një bombë ekologjike.

Le të ndërtohet në Greqi, atje ku është edhe përfitimi pasi 90% e energjisë do të shkojë atje kanë thënë para banorëve ambientalisti Sazan Guri.


Shtuar 26.04.2024 15:03