Ilia Terpini ka ndërruar jetë 4 vite më parë. Ai ishte operatori i shumë filmave artistik shqiptarë dhe ka qëndruar prapa kamerës për 34 vite.
Në arkivin e filmit si operator mbajnë firmën e Terpinit 27 filma artistikë dhe mbi 150 dokumentarë. Operatori i njohur ishte “Artist i merituar”, dhe nderuar me një serë çmimesh. Si “Medaljen e punës”, “Çmimin e Republikës”.
Ilia Terpini filmoi filmat e njohur “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “Mësonjëtorja”, “Flutura në kabinën time”, “I teti në bronx”.
Për këtë të fundit ai tregon se një prej vajzave që u fotografua për të luajtur ketë rol ishte edhe Pranvera Hoxha, vajza e Enver Hoxhës, por në fund u përzgjodh Yllka Mujo.
Rrëfimi i Ilia Terpinit:
Kishte nisur kërkimi për një rol të vogël, atë të Anës, vajzës së doktorit te filmi ‘I teti në bronz’. Shëtita nëpër disa gjimnaze të Tiranës dhe fotografova 60 vajza të reja për të përzgjedhur. Atë vit, në mos gaboj, 1963, organizohej edhe spartakiada e parë shqiptare në stadium. Aty kishte mundësi ti vlerësoje vajzat më mirë sepse ishin edhe të zhveshura. Ende pa gjetur Yllkën, një ndër vajzat që fotografova në spartakiadë ishte Pranvera Hoxha. Unë natyrisht që nuk e njihja dhe e pyes për emrin. Pasi ma thotë, e pyes sërish se e kujt ishte. Kur më thotë edhe për të atin, unë stepem, megjithatë i shpjegoj arsyet pse po bëheshin këto foto dhe i them se do ta njoftoja më vonë nëse do të përzgjidhej. Në fillim nuk e mendova kaq prerazi se nuk mund ta merrnim.
Lava fotografitë dhe ja tregova regjisorit, Viktor Gjikës. Njësoj si unë, edhe atij i ngelën sytë te Pranvera, por kur i thashë se si ishte puna, ishte ai që e preu pa e diskutuar fare. Deri në atë kohë, as ai nuk dinte gjë, por hamendësoi se nëse marrim Pranverën për rolin, gjatë xhirimeve, që na duhet të rrinim për një kohë të gjatë në Korçë, ajo, edhe prej moshës së re, 17 vjeçe, mund të dashurohej me ndonjë atje.
Nëse kjo ndodhte, burgu ishte masa më e lehtë që ne të gjithë parafytyruam. Kështu që, tha, as mos e zër më gojë këtë punë. E takoj sërish pak ditë më vonë dhe gjithë entuziazëm, e kishte me shumë qejf atëherë këtë përvojë. Më thotë se kishte folur me babin dhe se ai i kishte dhënë leje. Priste vetëm përgjigjen tonë. Viktori as që e diskutonte. Leja ishte për t’i bërë qejfin të bijës, sepse ai e dinte që s’do guxonte njeri ta përfshinte në këtë film. Pas saj gjetëm Yllkën. 3 ditë përpara se të nisnim xhirimet, shkova në një aktivitet në Teatrin e Operës dhe aty pashë Yllkën. Duhet të ketë qenë 15 vjeçe. I them sime shoqe ‘kjo është Alma’, duke përmendur emrin e personazhit. Afrohem, i shpjegoj rastin dhe e ftoj të vijë të nesërmen në Kinostudio. Viktori në fillim tha se tashmë ishte gjithçka gati e nuk mund të ktheheshim pas, por pasi e pa Yllkën, nuk bëri asnjë fjalë. Na u desh të ndryshonim edhe kostumin, ta qepnim sërish, sepse ishte vajzë e imët, ndryshe nga ajo që kishim përzgjedhur më parë. Kështu, me atë rol, Yllka Mujo nisi të bënte aktoren.