Pas takimit të zhvilluar me kreun e BDI-së, “Grupi i Zjarrit” brenda kësaj partia ka pushuar së funksionuari.
Kështu që u vendos që më 15 tetor të zgjidhet kryesia e BDI-së.
Kujtojmë se BDI që para pandemisë, funksionon pa organe funksionale brenda partisë dhe nën menaxhimin e Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë mes dy kongreseve.
Që nga kongresi zgjedhor i 21 nëntorit të vitit 2019, BDI të gjitha vendimet si listat e kandidatëve për deputetë, kabinetin qeveritar, kandidatët për kryetarë komunash dhe vendimin për bashkëqeverisje i ka kaluar vetëm në Këshillin e Përgjithshëm edhe pse statuti i partisë e parashikon ndryshe.
“Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm me propozim të kryetarit të Partisë, duke pasur parasysh propozimet e degëve, përpilon listën e kandidatëve për deputetë, te cilën ia paraqet për verifikim Këshillit të Përgjithshëm. Me propozim të kryetarit, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm cakton bartës të funksioneve tjera shtetërore, si dhe personin i cili do të udhëheq me punët financiare të partisë” , thuhet në statutin e BDI-së, Neni 66.
Më 15 tetor Këshilli i Përgjithshëm i cili sipas statutit të partisë numëron 75 anëtarë do të duhet të zgjedh kryesinë e partisë ose referuar statutit Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm e cila duhet përbërë nga 33 anëtarë. Kryesia ashtu siç paralajmëroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas analizës së zhvillimeve politike në vend merr kohën e duhur për të zgjedhur organet e partisë, përfshi sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarin organizativ të cilët i propozon kreu i partisë ndërsa zgjidhen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. Nuk dihet nëse do të shqyrtohet edhe mundësia e ndryshimit të nënkryetarëve të partisë, dy prej të cilëve për momentin janë pjesë e grupit të pakënaqur.
Një ditë pasi Ahmeti u përball me “grupin e zjarrit” këta të fundit nuk u shfaqën në opinion për të komentuar pritjet e tyre nga 15 tetori. Por një ditë më parë thanë se janë të kënaqur që debati tani e tutje do të zhvillohet brenda partisë, duke mos komentuar nëse është biseduar edhe për shkarkimin e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi emri i të cilit lakohet më së shumti në letrën publike të adresuar kreut të BDI-së.
Në letrën publike grupi i pakënaqur fajin e rezultatit të dobët zgjedhor në Tetovë dhe Gostivar ia faturoi “mungesës së jetës organizative brenda BDI-së”, ndërsa zgjedhjet kadrovike i cilësoi si privilegje të Artan Grubit sjellja e të cilit sipas tyre ka shkaktuar revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve.
Grupi i pakënaqur revoltën e tyre e kishte shprehur që nga formimi i Qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2020, ndërsa dalja e tyre publike si formacion i pakënaqur me performancat e ekzekutivit ishte formalizimi i parë i krizës brenda BDI-së që nga themelimi i saj.