Rinumërimi i votave/ Celibashi: Procesi do të zgjasë deri në 20 ditë, kemi anuluar lejet vjetore për stafin e KQZ, s’na duhen fonde shtesë

Ditën e sotme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, konfirmoi se procesi i rinumërimit të mbi 610 mijë votave në Tiranë dhe Fier, do të përballohet pa kërkuar fonde shtesë nga buxheti i shtetit.

“Kemi kursyer ndjeshëm nga kontrata me ofruesin e shërbimit postar për votën nga jashtë për diasporën”, deklaroi Celibashi, duke shtuar se KQZ nuk do të kërkojë fonde të tjera për këtë fazë të procesit zgjedhor.

Ai zbuloi se shifra e kursyer nga kontrata me DHL, është rreth 1.5 deri në 2 milionë euro.

Për të garantuar përmbylljen e rinumërimit brenda afateve, Celibashi njoftoi se gjithë administrata e KQZ-së do të jetë në punë pa ndërprerje, përfshirë edhe muajt korrik dhe gusht, ndërsa lejet vjetore të stafit janë anuluar.

Procesi pritet të zgjasë 18 deri në 20 ditë, pa llogaritur kohën për trajtimin e ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor.

“Të paktën edhe gjysma e parë e gushtit do na gjejë ende të angazhuar me zgjedhjet e 11 majit”, përfundoi Celibashi.


Shtuar 10.06.2025 10:50