Ringjallja e Krishtit! Pashkët festohen sot në mbarë botën nga besimtarët katolikë

Sot në të gjithë botën, besimtarët katolik festojnë Pashkët. Besimtarët katolikë iu drejtuan të shtunën kishave në të gjithë Shqipërinë për të bekuar shportën me ushqimet e festës së Pashkës.

Simbol i kësaj feste mbetet veza e kuqe dhe buka e Pashkës. Ky ritual bëhet në mënyrë që të marrin bekimin e Zotit për ushqimet e familjes.

Pashkët, kremtohen tek besimtarët katolik si ringjallja e Krishtit, ku përgatitja nis me 7 javëshin e Kreshmeve dhe mbyllet me meshën e Vigjiljes së Pashkëve, pritjen e ringjalljes së Jezusit.

Po çfarë janë Pashkët?

Pashkët shënojnë ngjarjen më të rëndësishme të krishterimit, ringjallja, e cila përcjell për të gjithë botën mbarë, simbolikën e ngadhënjimit mbi të keqen. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresë e përditshme të fitores mbi mëkatin.

Pashkët, të cilat festohen të dielën pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror, kanë ndikim të veçantë te besimtaret e krishterë jo vetëm shpirtëror, por dhe fizik, teksa shënojnë dhe finalizimin e agjërimit të kreshmeve.

Simboli i Pashkëve është veza, si simbol i jetës, e cila e lyer me ngjyrën e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit. Jeta e re, e cila nis me ditën e Pashkëve për çdo familje krishtere, lë pas mëritë, nxit faljen, dashurinë dhe ndihmën ndaj të afërmve në vështirësi, të sëmurëve dhe të varfërve, duke i kujtuar njeriut rolin e vete sipas urdhëresave të Zotit.


Shtuar 17.04.2022 08:22

Tags: