Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë në lidhje me rikthimin në detyrë të Erion Veliajt si kryetar i bashkisë së Tiranës. Gjykata u shpreh më 3 nëntor pak ditë pas seancës publike, ku i pranishëm ishte edhe vetë kryetari i bashkisë si dhe përfaqësues të qeverisë dhe presidencës.
Kushtetuesja vendosi me shumicë votash 5 me 3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë, e cila kishte miratuar shkarkimin e kryebashkiakut pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe dekretit të presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
Gjykata argumenton se vendimi për shkarkimin e Veliajt është rrjedhojë e një procesi të parregullt ligjor, që ka cënuar parimin e autonomisë vendore.
Sipas Kushtetueses, neni 62 i Ligjit të Qeverisjes Vendore nuk mund të përdoret si bazë ligjore për shkarkimin nga detyra, dhe se është Kushtetuta ( Neni 115) ajo që e përcakton qartë këtë dispozitë. Sipas Gjykatës, “nuk mund të ekzistojnë dy lloje të shkarkimit të organit të zgjedhur vendor, ai “ligjor” dhe “kushtetues””.
“Gjykata thekson se është ajo (Kushtetuta) që ka kompetencën për të kontrolluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm prej saj, si autoriteti i cili thotë fjalën e fundit. Për rrjedhojë, parashikimet e bëra në Ligjin për Qeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen dhe të zbatohen si mekanizma që lejojnë shmangien ose rrudhjen e mbrojtjes kushtetuese të organit të qeverisjes vendore, pasi ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës.”, thuhet në vendimin e zbardhur.
