Pranvera rikthen situatën problematike të zjarreve. Djegia e sipërfaqeve bujqësore për hapjen e parcelave të reja ka shkaktuar disa raste zjarri në qarkun e Elbasanit.
Më problematike situata u paraqit në malin e Koshnicës, në Skënderbegas të Gramshit.
Të lidhura
None found
Pas ndërhyrjes dhe vënies nën kontroll të flakëve zjarrfikësja e Gramshit bën apel për kujdes.
Zjarrfikësja e Gramshit sjell në kujtesë situatën e zjarrit të verës së kaluar në njësinë administrative Skënderbegas ku një person humbi jetën, 68 shtëpi u prekën nga zjarri, 10 prej tyre u shkrumbuan totalisht, 300 bagëti u dogjën e po ashtu qindra hektarë tokë e pyje.
Në këtë situatë, repartet zjarrfikëse kanë kaluar në gatishmëri të shtuar dhe kërkojnë vëmendjen e banorëve që situata të tilla të mos përsëriten.
Raste zjarri ka pasur edhe në bashkinë e Librazhdit. Tre raste u identifikuan brenda një dite por fatmirësisht u vunë nën kontroll ndërsa vetëm javën e fundit janë djegur dy banesa, njëra prej të cilave me funksion biznesi.
